Bylykbashi largohet si drejtues politik i PD-së për Qarkun Durrës: Dorëzova detyrën te Berisha

Oerd Bylykbashi ka njoftuar dorëzimin e detyrës si drejtues politik i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, duke e cilësuar vendimin si një hap të nevojshëm për përtëritjen dhe zgjerimin e forcës politike. Gjatë fjalës së tij në Foltoren e PD-së në Durrës, Bylykbashi bëri të ditur se detyrën ia kishte dorëzuar kryetarit të partisë, Sali Berisha, rreth një javë më parë.

Ai theksoi se rruga drejt suksesit politik duhet të mbështetet te morali dhe parimet, ndërsa kujtoi këshillat që ka marrë ndër vite nga Berisha. Bylykbashi u ndal edhe te zgjedhjet e fundit në Bashkinë e Durrësit, duke deklaruar se demokratët nuk kanë bërë kompromis përballë presioneve dhe ofertave.

Oerd Bylykbashi: Kjo është hera e fundit që ju flas si drejtues politik i qarkut të Durrësit. Kam dorëzuar detyrën rreth një javë më parë kryetarit të partisë, sepse mendoj se vetëm në këtë formë mund ta çojmë përpara përtëritjen dhe shumëfishimin e forcave tona.

Kemi vetëm një rrugë, rruga jonë kalon përmes moralit dhe parimeve. Në 19 vite kam marrë leksione të jashtëzakonshme nga Berisha; një ndër ta ishte: ‘Qëndro i palëkundur në parime!’. Me këtë jemi përballur gjithë këto vite.

Edhe kur oferta dhe presioni kanë qenë të jashtëzakonshme në këtë kryeqytet, sidomos gjatë zgjedhjeve të fundit në bashkinë e dytë më të madhe në vend, ne nuk bëmë kompromis dhe dhamë rezultatin që doli. Me këtë devizë ne do të fitojmë zgjedhjet e ardhshme.

gijotina.com/

The post Bylykbashi largohet si drejtues politik i PD-së për Qarkun Durrës: Dorëzova detyrën te Berisha appeared first on GIJOTINA.