Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë rikthyer kontaktet diplomatike në Nju Jork, pas më shumë se tre muajsh pa bisedime të nivelit të lartë mes palëve.
I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, zhvilloi bisedime përmes ndërmjetësve me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi. Kontakti, i cili zgjati rreth tre orë, është i nivelit më të lartë diplomatik mes dy vendeve që prej armëpushimit të arritur në qershor.
Takimi erdhi pas deklaratave të forta të presidentit amerikan Donald Trump në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku ai i kërkoi Teheranit të arrijë një marrëveshje me Uashingtonin, duke paralajmëruar pasoja të rënda në të kundërt.
Pas bisedimeve, Trump e cilësoi takimin pozitiv dhe përsëriti qëndrimin se Irani duhet të zgjedhë rrugën e një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara.
Ende nuk janë bërë publike hollësi të plota mbi çështjet e diskutuara dhe deri tani nuk është raportuar ndonjë marrëveshje konkrete mes palëve.
Sipas raportimeve të mediave iraniane, Teherani ka përsëritur disa prej kërkesave të tij, mes të cilave zhbllokimin e aseteve iraniane të ngrira dhe heqjen e bllokadës detare amerikane.