Fredi Beleri mburr deputetin e Agimit të Artë dhe sulmon drejtësinë greke

Eurodeputeti i Demokracisë së Re Fredi Beleri, është vendosur orët e fundit në qendër të debatit politik në Greqi.

Shkak ka qenë një deklaratë e tij për Ilias Kasidiaris, ish-deputetin e Agimit të Artë, i cili më 15 shtator doli nga burgu pas vuajtjes së një pjese të dënimit prej 13 vitesh dhe ka paralajmëruar rikthimin e tij në politikë.

Deklarata e Belerit u bë në 10 shtator në televizionin ONE, disa ditë përpara lirimit të tij. Duke folur për të, Beleri ka thënë ndër të tjera se Kasidiaris ishte “një nga të paktët grekë që e bëri burgun deri në ditën e fundit”.

Kjo frazë shkaktoi reagimin e partisë më të madhe opozitare PASOK, që kërkoi nga qeveria dhe Demokracia e Re të distancoheshin qartë nga deklarata e eurodeputetit.

Pas reagimeve, Fredi Beleri u rikthye me një sqarim publik, pranoi se formulimi i tij kishte qenë i gabuar dhe e korrigjoi atë duke e cilësuar formulimin “të pavend” dhe duke theksuar se nuk ka asnjë lidhje me Ilias Kasidiarisin dhe me atë që ai përfaqëson politikisht.

Beleri akuzoi gjithashtu PASOK-un se kishte shkëputur një pjesë të deklaratës së tij nga konteksti dhe tha se qëndrimi i tij ndaj demokracisë, institucioneve dhe shtetit të së drejtës është i qartë.

Eurodeputeti i Demokracisë së Re kujtoi gjithashtu se partia e tij ishte ajo që, sipas tij, përballoi institucionalisht Agimin e Artë dhe e çoi çështjen deri në drejtësi, duke theksuar se nuk mund të ketë asnjë ekuivok për qëndrimin e tij ndaj organizatës.

Ilias Kasidiaris ka qenë një nga figurat më të njohura të Agimit të Artë dhe u dënua si udhëheqës në një organizatë kriminale. Edhe gjatë viteve të burgimit ai ruajti një prani të fortë politike dhe në rrjetet sociale, ndërsa pas lirimit të tij ka bërë të qartë se synon të rikthehet në skenën politike.

gijotina.com/

The post Fredi Beleri mburr deputetin e Agimit të Artë dhe sulmon drejtësinë greke appeared first on GIJOTINA.