Nga Ylli Manjani
Mesa duket, toleranca është marrë për dobësi.
Drejtuesi i komanduar i GJKKO-së së Shkallës së Parë vazhdon të refuzojë çdo arsyetim, çdo logjikë dhe çdo kundërshtim. Ai sillet sikur një vendim personal të jetë mbi ligjin, mbi institucionet dhe mbi vetë parimet mbi të cilat u ngrit reforma në drejtësi.
Ajo që dikur ishte një gjykatë, sot ngjan me një kazermë ushtarake.
Një gjykatë nuk është repart ushtarak. Nuk është territor i Gardës. Nuk është vend ku avokatët, qytetarët dhe palët në proces trajtohen si persona që hyjnë në një objekt ushtarak. Gjykata është vendi ku shteti demonstron qytetërim, jo forcë.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka bërë gjënë e duhur duke shpallur mospjesëmarrjen në proceset gjyqësore në këto kushte. Ky nuk është bojkot kundër drejtësisë. Është bojkot kundër shndërrimit të drejtësisë në kazermë.
Edhe OSBE-ja, sipas reagimit të saj publik, ka shprehur shqetësim për masat që e largojnë gjykatën nga standardet e një procesi normal gjyqësor. Nuk besoj se ekziston një institucion serioz i një vendi demokratik që mund ta konsiderojë normale militarizimin e një gjykate.
Brenda Shqipërisë, mbështetja për këtë model vjen vetëm nga qeveria dhe nga Komisioni i Xhafajt, të cilët vendosën Gardën në dyert e gjykatës. Por Garda nuk mund të bëhet simbol i pavarësisë së drejtësisë. Përkundrazi, prania e saj e kthen gjykatën në një hapësirë ku klima civile zëvendësohet me klimën e komandës.
Ajo gjykatë sot nzuan me gjykatat e Iranit, ku vendos Garda e tyre!!!
Edhe më i rëndë është qëndrimi i KLGJ-së. Institucioni që duhet të qeverisë gjyqësorin sillet si vartës administrativ i një drejtuesi të komanduar prej saj. KLGJ Hesht. Nuk ushtron autoritetin e vet. Nuk mbron funksionimin normal të gjykatës. Kjo nuk është qeverisje e gjyqësorit.
Reforma në drejtësi nuk u bë për të ndërtuar kazerma. Kushtetuta nuk parashikon gjykata të rrethuara me regjim ushtarak. Asnjë ligj nuk i jep një drejtuesi të komanduar të drejtën të ndryshojë natyrën e një institucioni kushtetues sipas dëshirës së tij.
Nëse një drejtues i komanduar paska fuqinë të bëjë “rrup-sup” një sistem të tërë; nëse nuk pyet as KLGJ-në, as Dhomën e Avokatisë, as organizatat ndërkombëtare që monitorojnë drejtësinë; atëherë le ta çojë deri në fund këtë absurditet.
Le t’i bëjë vetë gjyqet.
Le t’i marrë vetë edhe masat e sigurisë.
Mbase i zhvillon më rehat procedurat pa avokatë në sallë. Sic bënë gjykatat e Enver Hoxhës!
Kam një propozim tashmë. Dhoma Kombëtare e Avokatisë duhet ta shtrijë bojkotin në çdo proces të kësaj gjykate, përfshirë edhe seancat e masave të sigurisë.
Kur një gjykatë pushon së funksionuari si gjykatë dhe sillet si kazermë, problemi nuk është më një rregullore. Problemi është vetë modeli i ushtrimit të pushtetit.
Me këtë marrëzi nuk ka më vend për komunikim normal bashkëpunimi. Ka vend vetëm për një qëndrim të qartë institucional.
Një gjykatë demokratike nuk ndërtohet me ushtarë te dera. As me rregulla që zëvendësojnë gjykatësit me ushtarë garde.
Ajo ndërtohet me ligj, me dinjitet dhe me respekt për profesionet e lira, palët ndërgjyqëse, mediat dhe publikun që janë pjesë e drejtësisë.
Deri sa të kuptojë këtë gjë një drejtor gjykate i komanduar dhe një KLGJ, nuk mund të ketë avokatë që shërbejnë nëpër kazerma.