Zbulimi/ Ylli më i pastër i Universit është çuditërisht shumë pranë Tokës

Zbulohet një yll i lindur pas Big Bang, i pakontaminuar dhe shumë pranë Tokës, në terma astronomikë. Quhet SDSS J0715-7334, është një gjigant i kuq brenda në Rrugën e Qumështit dhe ka një përmbajtje tejet të ulët metalesh, çka sipas shkencëtarëve, mund t’i përkasë gjeneratave primitive të trupave qiellorë, që janë krijuar disa qindra milionë vite pas lindjes së Universit, i cili datohet 13.8 miliardë vite më parë.

Profili i plotë i këtij ylli është publikuar në revistën Nature Astronomy dhe është zbuluar e vrojtuar falë Sloan Digital Sky Survey-V dhe teleskopit Magellan në Kili.

Sipas ekipit kërkimor, ky yll është krijuar diku tjetër në kozmos, ndoshta në Mjegullnajën e Madhe të Magelanit, dhe më pas është tërhequr në galaktikën tonë përgjatë kohërave.

Zbulimi/ Ylli më i pastër i Universit është

Big Bang i dha origjinë Universit si një përzierje e nxehtë dhe e turbullt pjesëzash energjike. Me kalimin e kohës, ky material u shpërnda, nisi të ftohej e të kondensohej në gaz hidrogjeni neutral. Disa zona ishin me dendësi më të lartë dhe, pas qindra miliona viteve, si pasojë e gravitetit, materiali u kolapsua duke i dhënë jetë kështu gjeneratës së parë të yjeve, të formuar nga helium dhe hidrogjen në gjendje primitive. Këta yje u shuan të rinj, por nga shpërthimet lindën të tjerë të rinj që klasifikohen si gjenerata e dytë, me gamë më të gjerë elementesh dhe me prani përbërësish të rëndë, pra metalesh.

Dhe ylli i gjetur së fundmi është pothuajse plotësisht i përbërë nga helium dhe hidrogjen dhe ka vetëm 0.005% përbërje metalesh, pra është pothuajse i pastër si në krye të herës.