Bashkia e Tiranës hap aplikimet për kreditë e buta, afati i fundit 19 maji, ja kush përfiton (DOKUMENTI)

Bashkia e Tiranës ka hapur thirrjen për aplikime për kreditë e buta dhe ka publikuar afatet. Sipas njoftimit publik, afati për fazën e parë të aplikimeve ka nisur më 20 prill dhe përfundon më 19 maj, ndërsa kërkesat duhet të plotësohen online përmes portalit qeveritar “e-Albania”.

Programi mbështet individët dhe familjet të cilët nuk kanë një banesë në pronësi, një shtëpi në rrezik shembje, banojnë në shtëpi të mbipopulluara, kanë mbetur të pastrehë, ose humbasin banesën për shkak të zhvendosjen me vendim gjykate.

Kush mund të aplikojë-Cilat janë kriteret bazë?

-aplikantët të kenë mbushur moshën 18 vjeç në momentin e aplikimit

-mund të aplikojnë familjet një prindërore që kanë në ngarkim fëmijë, familjet me më shumë se 4 fëmijë apo familjet e reja

-familjet që nuk kanë në pronësi një banesë

-personat me aftësi të kufizuar

-individë me statusin e jetimit

-emigrantë të rikthyer

-familjet e policëve të rënë në detyrë, etj.

Sa i përket vlerë së kredive të buta, ajo ndryshon në varësi të përbërjes familjare. Bëhet fjalë për vlera që arrijnë nga 5.8 deri në 13 milionë lekë.

Bashkia sqaron se faza e dytë e procesit, ajo e dorëzimit të dokumentacionit, do të njoftohet më vonë, ndërsa qytetarët që nuk kanë akses në sistemet elektronike mund të kërkojnë asistencë pranë njësive administrative.