Kryebashkiaku Erion Veliaj i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar konstatimin e shkeljeve procedurale që, sipas tij, janë kryer nga SPAK gjatë hetimit të çështjes penale ndaj tij. Kryebashkiaku i arrestuar kërkon ndryshimin e vendimeve të dhëna nga dy shkallët e Gjykatës së Posaçme dhe Gjykata e Lartë, si dhe shpalljen e pavlefshmërisë së akteve hetimore dhe papërdorshmërisë së provave të mbledhura nga prokuroria.
Në ankimin e tij, Veliaj ngre disa pretendime për mënyrën se si është zhvilluar hetimi. Ai pretendon se procedimi penal ka nisur mbi bazën e një kallëzimi të falsifikuar dhe se SPAK nuk ka kryer veprimet e nevojshme për të identifikuar personin që ka bërë kallëzimin, Nesti Angoni. Sipas Veliajt, hetimet janë zhvilluar përtej afateve të parashikuara nga ligji, ndërsa hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer veprime përpara regjistrimit të procedimit penal.
Një tjetër grup kundërshtimesh lidhet me mënyrën e mbledhjes dhe administrimit të provave. Veliaj thotë gjithashtu se të dhënat kompjuterike janë sekuestruar pa vendim gjykate, se korrespondenca është përdorur si provë pa një bazë të ligjshme dhe se ekspertimet janë kryer nga punonjës të vetë organit procedues, në vend që tu besoheshin ekspertëve të pavarur.
Ai kundërshton gjithashtu ligjshmërinë e hetimit nga prokurori i çështjes, për të cilin pretendon se nuk plotësonte kriteret ligjore të emërimit dhe ndodhej në kushtet e konfliktit të interesit. Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, Veliaj ngre edhe pretendimin për cenimin e së drejtës për një mbrojtje efektive.
Sipas tij, kjo e drejtë është cenuar për shkak të kohës së pamjaftueshme që i është vënë në dispozicion për tu njohur me akuzat dhe provat, si dhe për shkak të zhvillimit të gjykimit në Apelin e Posaçëm në mungesë të tij dhe të avokatit.
Për çfarë akuzohet Veliaj?
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të. Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.
Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.
gijotina.com/
The post Veliaj çon SPAK-un në Kushtetuese, kërkon rrëzimin e akteve hetimore dhe provave ndaj tij appeared first on GIJOTINA.