Policia e Kosovës ka sekuestruar rreth 136 kilogramë kanabis ditën e premte në autostradën “Arbën Xhaferi”, pranë daljes Doganaj-Kaçanik, duke vënë në pranga 3 persona të dyshuar. Sipas të dhënave hetimore, të arrestuarit nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut synonin transportimin, shitjen dhe shpërndarjen e lëndës narkotike me origjinë nga Shqipëria, duke e kaluar transit përmes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut drejt Turqisë.
Gjatë operacionit dhe kontrolleve të mëtejshme, efektivët kanë sekuestruar 3 automjete, 1 motoçikletë dhe shumën prej 680 eurosh para të gatshme. Ndërhyrja u shoqërua me momente tensioni, pasi njëra prej makinave të përfshira tentoi t’i shmangej postbllokut policor duke shkaktuar përplasje në trafik, çka i detyroi punonjësit e policisë të përdornin armët e zjarrit për ta ndaluar mjetin.
Lidhur me këtë aksion ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili bëri të ditur se një nga automjetet e bllokuara ngre dyshime serioze për implikimin e një zyrtari policor në këtë rrjet trafiku, duke konfirmuar angazhimin e menjëhershëm të Inspektoratit Policor të Kosovës:
“Gjatë operacionit, një nga automjetet e dyshuara, në përpjekje për t’i shpëtuar Policisë, shkaktoi aksidente trafiku, ndërsa oficerët e policisë u detyruan të përdorin armë zjarri për ta ndaluar atë. Një nga automjetet e përfshira në këtë rast ngre dyshime për përfshirjen e një oficeri policie në këtë aktivitet kriminal. Inspektorati i Policisë së Kosovës është i përkushtuar për të hetuar plotësisht dhe sqaruar rrethanat e rastit”.
gijotina.com/
The post Kanabisi shqiptar me destinacion Turqinë, arrestohen tre persona, mes tyre edhe një polic appeared first on GIJOTINA.