Kushtetuesja pezullon gjobat për protestuesit, policia shqyrton zbatimin e Kodit Rrugor

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që pezulloi gjobat flagrante gjatë protestave, nuk i ka ngrirë nenet e tjera të aktit normativ, i cili hyri në fuqi në 28 tetor.

Teksa policia nuk mund të vendosë gjoba sipas aktit normativ kur protestuesit nuk i binden policisë për t’u shpërndarë, kur turmat nuk largohen nga zonat e mbrojtura apo kur protestohet i maskuar, ndërhyrjet e tjera në ligjin për tubimet mbeten në fuqi. Të paktën derisa Kushtetuesja të shprehet në themel se kush ka të drejtë.

Që do të thotë për policinë gjatë protestave mbeten të zbatueshme risitë përmes aktit normativ në nenin 24. Marzhi i dënimit me gjoba është më i shtrenjtë. Konkretisht, në aktin normativ thuhet se pjesëmarrja në tubime të ndaluara dënohet me 100 mijë lekë e po ashtu edhe përdorimi i maskave deri në 100 mijë lekë.

Akti normativ i dorëzuar Kushtetueses, që u deklarua se do të shqyrtohet me përparësi, ngelet në fuqi edhe për parashikime të tjera si kufizimet e përkohshme rreth objekteve të caktuara, ku në vendim përshkruhen arsyet, perimetri dhe kohëzgjatja, si dhe e drejta që i jepet efektivit të policisë për të dhënë urdhër për largim nga zona e mbrojtur, që janë perimetri rreth stacioneve dhe mjeteve të transportit publik dhe zonat e tjera të caktuara nga këshilli bashkiak.

Nga ana tjetër, me lidhjen e duarve të policisë për të prerë gjoba në flagrancë sipas aktit normativ nën gjykim kushtetues, policia i ka hedhur sytë tek Kodi Rrugor. Në nenin 20 parashikohet gjobitja nga 25 mijë deri në 100 mijë lekë ndaj cilitdo që zë sipërfaqen rrugore pa lejen përkatëse.

gijotina.com/

The post Kushtetuesja pezullon gjobat për protestuesit, policia shqyrton zbatimin e Kodit Rrugor appeared first on GIJOTINA.