Populli shqiptar feston sot 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali dhe delegatët e Kuvendit të Vlorës shpallën Shqipërinë shtet të pavarur, ndërkohë që ushtritë e vendeve fqinje po përparonin në territoret shqiptare.
“Me një zâ venduan që Shqipëria të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”, thuhet në Aktin e Pavarësisë, të cilin e nënshkruan 40 delegatë.
Por rruga drejt shpalljes së Pavarësisë nuk kishte si destinacion fillestar Vlorën.
Ismail Qemali u nis më 19 nëntor 1912 nga Triestja dhe dy ditë më vonë mbërriti në Durrës me vaporin austriak “Baron Bruck”. Atje e priti Dom Nikollë Kaçorri, i cili një javë më vonë do të merrte detyrën e zëvendëskryeministrit të qeverisë së parë shqiptare.
Sipas letërkëmbimit ndërmjet Eqrem bej Vlorës dhe Mustafa Krujës, Ismail Qemali kishte menduar ta ngrinte flamurin në Durrës më 22 nëntor, për të penguar përparimin e mëtejshëm të ushtrive pushtuese.
Gjendja në Durrës e detyroi të ndryshonte planin. Ismail Qemali njoftoi nëpërmjet telegramit delegatët e trevave shqiptare që të drejtoheshin drejt Vlorës.
Ndërkohë, përballë përparimit të ushtrisë serbe drejt Shqipërisë së Mesme, patriotët shqiptarë ngritën flamurin pa pritur vendimin e Kuvendit të Vlorës. Elbasani e ngriti më 25 nëntor, Tirana dhe Durrësi më 26 nëntor, ndërsa Kavaja, Peqini dhe Lushnja më 27 nëntor.
Data e shpalljes së Pavarësisë përkon edhe me një tjetër ngjarje të historisë shqiptare. Më 28 nëntor 1443, Gjergj Kastriot Skënderbeu mori kontrollin e Krujës dhe ngriti flamurin mbi kalanë e saj.
469 vjet më vonë, Kuvendi i Vlorës i dha 28 Nëntorit një tjetër kuptim historik, atë të themelimit të shtetit të pavarur shqiptar.
Sot, 28 Nëntorin e festojnë edhe në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare.
Sot në këtë ditë kuqezi edhe Gijotina.com uron të gjithë shqiptarët: Gëzuar Ditën e Pavarësisë!
The post 28 Nëntori! Shqiptarët kudo që ndodhen, festojnë sot 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë appeared first on GIJOTINA.