Vijon pezullimi i lundrimit në Vlorë, tragetet drejt Italisë mbeten në port

Edhe sot, tragetet e linjës Vlorë-Brindisi nuk do të lundrojnë për shkak të kushteve të rënduara atmosferike.

Kapiteneria e Portit të Vlorës ka vendosur vijimin e pezullimit të lundrimit për shkak të erërave të forta dhe detit me forcë 6-7 ballë, ndërsa lartësia e dallgëve arrin deri në 2.5 metra.

Edhe gjatë ditës së djeshme, lundrimi i trageteve drejt Brindisit u pezullua si masë parandaluese, pas paralajmërimeve për mot të keq dhe përkeqësim të kushteve në det.

Ndërkohë, për shkak të situatës meteorologjike, vijon të jetë në fuqi edhe ndalimi i daljes në det për mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit.

Masa e pezullimit do të mbetet në fuqi deri në mbrëmjen e kësaj të enjteje, 26 nëntor, ndërsa rifillimi i aktivitetit lundrues do të varet nga përmirësimi i kushteve atmosferike dhe detare.

The post Vijon pezullimi i lundrimit në Vlorë, tragetet drejt Italisë mbeten në port appeared first on GIJOTINA.