Trafik kokaine nga Amerika Latine, SPAK kërkon 121 vite burg për grupin e trafikantëve /EMRAT

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë pretencën për grupin e akuzuar për trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë, duke kërkuar në total 121 vite burg për 10 të pandehurit.

Hetimet e ndjekura nga prokurori i posaçëm Adnan Xholi kanë zbuluar se grupi kishte organizuar importimin nga Republika Domenikane të dy ngarkesave, të deklaruara si “lëkurë gjedhësh”, brenda të cilave u sekuestruan rreth 90 kilogramë kokainë.

Për të pandehurit, SPAK ka kërkuar dënime të ndryshme, në varësi të rolit dhe përgjegjësisë së secilit në aktivitetin e dyshuar kriminal.

Konkretisht:

Aldi Zonja: 14 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 9 vite e 4 muaj.

Artion Çaushllari: 15 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 10 vite.

Geis Sejfullai: 14 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 9 vite e 4 muaj.

Ismail Abdurrahmani: 14 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 9 vite e 4 muaj.

Jose Ramon Zakarias Vasquez: 14 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 9 vite e 4 muaj.

Samuel Alfonso Serrano: 14 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 9 vite e 4 muaj.

K. Birçe: 13 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 8 vite e 8 muaj.

H. L. Narvaez: 13 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 8 vite e 8 muaj.

Endi Sejdini: 12 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 8 vite.

Baki Huqi: 10 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon në 6 vite e 8 muaj.

Akuzat

Aldi Zonja, Artjon Çaushllari (alias Gjika), Ismajl Abdurrahmani, Jose Ramon Zacarias Vasquez dhe Geis Sejfullai akuzohen për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”; dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Klajd Birçe, Hiëlenn Ledezma Narvaez, Samuel Alfonso Moreno Serrano dhe Endi Sejdini akuzohen për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”; dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Artjon Çaushllari (alias Gjika) akuzohet për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/1 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal; “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, në datat 7.2.2024–8.2.2024, në ambientet e banesës që përdorej nga i pandehuri Baki Huqi, si dhe në lokalin Bar “Tahiti”, në pronësi të tij, në fshatin Manzë, Durrës; dhe “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit.

Klajd Birçe, Hiëlenn Ledezma Narvaez dhe Baki Huqi akuzohen për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, në datat 7.2.2024–8.2.2024, në ambientet e banesës së përdorur nga i hetuari Baki Huqi, si dhe në lokalin Bar “Tahiti”, në pronësi të tij, në fshatin Manzë, Durrës; dhe “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes.

Geis Sejfullai akuzohet për veprën penale “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta”.

Hetimet

Nga hetimet rezulton se ata përdornin një biznes për të kamufluar trafikimin, nëpërmjet kompanisë “Alb Lëkurë”. Ky subjekt kreu një pagesë më 11 maj të vitit 2024, me vlerë 23 mijë dollarë, tek një firmë me vendndodhje në Republikën Domenikane. Në të njëjtën periudhë u porosit edhe një sasi prej 24 tonësh lëkurë gjedhësh me kripë.

Ngarkesa, e ndarë në 20 paleta, u nis me destinacion Portin e Durrësit më 17 korrik 2024. Një muaj më pas, Dogana e Tiranës kreu veprimet doganore dhe ngarkesa u transportua drejt Mulletit, në një magazinë të përshtatur për ruajtjen e saj.

Një muaj më pas, më 23 shtator, merren informacione për nisjen e një tjetër ngarkese prej 24 tonësh, e cila mbërriti në Portin e Durrësit më 8 nëntor. Për këtë ngarkesë u paguan rreth 20 mijë dollarë të tjera.

Hetimi pati si indicie ndarjen e disa akteve nga hetimi i një tjetër çështjeje, që mban datën 17 nëntor 2023, për një sasi lënde narkotike që u kap me pleh kimik në Frakull të Fierit.

SPAK ka dyshime se grupi kriminal mund të ketë nxjerrë drogë nga laboratori edhe për llogari të grupeve të tjera kriminale.

The post Trafik kokaine nga Amerika Latine, SPAK kërkon 121 vite burg për grupin e trafikantëve /EMRAT appeared first on GIJOTINA.