Një shpërthim i fuqishëm ka shkatërruar një lokal në pronësi të një shqiptari në zonën e Nea Jonias, në Athinë, mëngjesin e kësaj të marte.
Sipas gazetës greke “Protothema”, policia po kërkon dy persona që dyshohet se kanë lidhje me sulmin me eksploziv ndaj biznesit në rrugën “Sinopis”.
Kamerat e sigurisë së një biznesi tjetër kanë regjistruar shpërthimin, ndërsa hetuesit po mbledhin prova për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motiveve të sulmit.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në fasadën dhe ambientet e brendshme të lokalit, ndërsa vala goditëse ka dëmtuar edhe xhamat e bizneseve përreth.
Lokali ndodhet në një lagje me dendësi të lartë banimi, pranë një stacioni autobusi, ku ka lëvizje të këmbësorëve që në orët e para të mëngjesit.
Një prej banorëve të zonës ka treguar për mediat greke se kalon çdo mëngjes me bashkëshorten përpara lokalit.
“Nëse do të kishim kaluar në atë moment, do të na kishte vrarë. Nuk do të kishim shpëtuar. Xhamat do të na kishin marrë kokën”, ka deklaruar banori.
Pas shpërthimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe specialistët e njësisë për neutralizimin e lëndëve eksplozive.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Nea Jonias, Panajotis Manuris, ka deklaruar se dyshon që sulmi lidhet me larjen e hesapeve, duke kujtuar se në të njëjtën zonë ka ndodhur edhe më parë një incident i ngjashëm.
Policia greke ende nuk ka konfirmuar motivin e sulmit, ndërsa mediat greke nuk kanë bërë publik identitetin e pronarit të lokalit.
The post Shpërthim me eksploziv në lokalin e shqiptarit në Athinë, dyshohet për larje hesapesh appeared first on GIJOTINA.