Katër persona, mes tyre dy ushtarakë dhe një punonjës i Gardës së Republikës, janë arrestuar në Tiranë, pasi u kapën duke qarkulluar me një automjet të blinduar, gjatë kontrolleve të policisë pranë stadiumit “Arena Kombëtare”.
Efektivët e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë ndaluar për kontroll një automjet të markës “Audi”, në të cilin udhëtonin katër persona.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka zbuluar një pistoletë brenda një çante të zezë, të vendosur në pjesën e pasme të mjetit. Një tjetër pistoletë është gjetur gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjeti 40-vjeçarit Erion Rama, punonjës i Gardës së Republikës.
Në pranga kanë përfunduar 40-vjeçari Erion Rama, 28-vjeçari Ilir Shyti, si dhe dy ushtarakët, Leonard Murataj., 42 vjeç dhe Ernest Selmani., 46 vjeç. Të katërt janë arrestuar për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Policia ka sekuestruar armën e gjetur në automjet, si dhe një fenelinë të ngjashme me ato të uniformave të policisë, që dyshohet se mbahej nga 28-vjeçari.
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur verifikimet lidhur me armën e gjetur punonjësit të Gardës së Republikës.
Njoftimi i polikcise
Qarkullonin me armë zjarri në automjet, vihen në pranga 4 shtetas, mes tyre 2 ushtarakë dhe një punonjës i Gardës së Republikës.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, gjatë kontrolleve të ushtruara pranë stadiumit “Arena Kombëtare”, kanë konstatuar një automjet të markës “Audi”, me të cilin qarkullonin 4 shtetas.
Gjatë kontrollit të automjetit të blinduar, në një çantë të zezë, të vendosur në pjesën e pasme të tij, u gjet një armë zjarri pistoletë.
Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit, shtetasit E. R., 40 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës, iu gjet një armë zjarri pistoletë.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, i shtetasve E. R., 40 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës, I. Sh., 28 vjeç, L. M., 42 vjeç, ushtarak, dhe E. S., 46 vjeç, ushtarak.
Arma e zjarrit e gjetur në automjet u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një fenelinë, si ato të policisë, që dyshohet se e mbante shtetasi I. Sh. Ndërsa, për armën e zjarrit që iu gjet gjatë kontrollit fizik punonjësit të Gardës së Republikës, po kryhen verifikime nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore të secilit shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
The post Me makinë të blinduar dhe armë! Arrestohen 4 persona në Tiranë, mes tyre dy ushtarakë dhe 1 punonjës i Gardës (Emrat) appeared first on GIJOTINA.