Atentati në Fier/ Kamerat zbulojnë lëvizjet, tre persona në polici, del nga rreziku për jetën nipi i viktimës

Tre persona janë shoqëruar në Policinë e Fierit në kuadër të hetimeve për atentatin me pasojë vdekjen e Selami Hasanit dhe plagosjen e nipit të tij, Jakup Hasani.

Deri në këto momente, pamjet e kamerave të sigurisë të verifikuara nga grupi hetimor kanë fiksuar vetëm praninë e një automjeti tip “Volvo” në zonën ku ndodhi ngjarja. Bëhet fjalë për të njëjtin mjet që më pas u gjet i djegur në fshatin Dërmenas.

Brenda makinës së djegur janë gjetur edhe dy pistoleta, njëra prej të cilave me silenciator.

Megjithatë, nga pamjet e administruara deri tani nuk janë identifikuar autorët dhe as lëvizjet e tyre para apo pas atentatit.

 

Ndërkohë, janë zbardhur edhe detaje për gjendjen e të plagosurit, Jakup Hasani, nipi i viktimës. Ai ka marrë tre plumba, dy në bark dhe një në nofull, ndërsa po merr trajtim mjekësor.

Nipi i Selami Hasanit ka dalë nga gjendja kritike për jetën pas ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Rajonal të Fierit. Pas përfundimit të operacionit, ai është dërguar në repartin e reanimacionit, ku do të vijojë të mbahet nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor. Ndërkohë, i plagosuri ndodhet nën masa të rrepta sigurie.

gijotina.com/

 

The post Atentati në Fier/ Kamerat zbulojnë lëvizjet, tre persona në polici, del nga rreziku për jetën nipi i viktimës appeared first on GIJOTINA.