Hakerat kanë depërtuar në Qendrën Kombëtare të Informacionit për Krimin (NCIC) të FBI-së, bëjnë të ditur tre burime të njohura me çështjen për Fox News.
Ky është sulmi i dytë kibernetik ndaj Byrosë Federale të Hetimit brenda pak muajsh.
FBI po heton sulmin për të përcaktuar mënyrën se si është siguruar hyrja e paautorizuar në sistem. Megjithatë, ende nuk dihet se çfarë informacioni është komprometuar.
Baza e të dhënave NCIC është një instrument kyç për shkëmbimin e informacionit mes autoriteteve federale, shtetërore dhe lokale.
Ajo përdoret për gjurmimin e personave në kërkim, monitorimin e personave të regjistruar si autorë të krimeve seksuale, si dhe për të verifikuar nëse dikujt i është refuzuar blerja e një arme pas kontrolleve të sigurisë, mes shumë funksioneve të tjera.
Në një intervistë të shtunën në mëngjes për Fox News, me gazetaren Kayleigh McEnany, presidenti Donald Trump tha se sapo ishte informuar për sulmin kibernetik.
“Do të them se kjo nuk është diçka e mirë. Nuk më pëlqen”, shtoi Trump.
FBI nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment. Lajmi për sulmin kibernetik u raportua fillimisht nga CNN më 20 nëntor.
Në shtator, një grup hakerash i njohur si ShinyHunters sulmoi portalin e rekrutimit të FBI-së, me synimin për të vjedhur të dhëna sensitive të punonjësve.
Grupi, i njohur për sulmet kibernetike të shoqëruara me tentativa zhvatjeje, pretendoi se kishte vjedhur informacione konfidenciale për pothuajse të gjithë agjentët e FBI-së. Të dhënat përfshinin emrat, adresat e banimit, numrat e Sigurimeve Shoqërore, detyrat dhe, në disa raste, edhe emrat e familjarëve të tyre.
Drejtuesi kanadez i një kompanie të sigurisë kibernetike, Edward Dubrovsky, u arrestua më 8 tetor.
Ai përballet me akuza federale për komplot për zhvatje, në kuadër të hetimeve të FBI-së për grupin ShinyHunters, sipas dokumenteve gjyqësore dhe burimeve të zbatimit të ligjit që kanë folur për agjencinë Reuters.
Detajet e krimeve për të cilat dyshohet Dubrovsky nuk janë bërë ende publike, pasi dokumentet gjyqësore lidhur me çështjen e tij mbeten të vulosura.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, njoftoi më 9 tetor arrestimin e një personi të dyshuar si bashkëpunëtor në aktivitetet e ShinyHunters, një ditë pasi Dubrovsky ishte vënë në pranga.
“Ky është arrestimi i fundit që FBI ka kryer brenda pak ditësh, në kuadër të hetimeve ndaj këtij rrjeti. Ne po punojmë pa ndërprerje për të shkatërruar grupin, për të ndjekur pista dhe prova të reja dhe për të vepruar me shpejtësi”, deklaroi Patel në atë kohë.
“Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me partnerët tanë për të goditur pjesën e mbetur të grupit ShinyHunters dhe bashkëpunëtorët e tij, pavarësisht se ku veprojnë”, shtoi ai.
Ndërkohë, në vitin 2023, hakerat depërtuan në një rrjet kompjuterik të zyrës së FBI-së në Nju Jork, i cili përdorej për hetimin e rasteve të shfrytëzimit seksual të fëmijëve.Sipas raportimeve të mëparshme të CNN, në këtë sistem ruheshin edhe imazhe që lidheshin me hetimin për Jeffrey Epstein.
The post Hakerat depërtojnë në bazën kryesore të të dhënave të FBI-së! Reagon Trump appeared first on GIJOTINA.