Dy shtetas shqiptarë janë dënuar me nga 32 muaj burg në Britaninë e Madhe, pasi u kapën duke kultivuar një sasi të konsiderueshme kanabisi në një ndërtesë në qytetin e Swansea-s, në Uells.
Të dënuarit janë Aleksandër Çela, 26 vjeç, dhe Denis Horeshka, 30 vjeç. Ata u arrestuan më 8 maj, gjatë një operacioni të zhvilluar nga policia britanike në zonën Strand.
Gjatë kontrollit në ambientet e ndërtesës, efektivët zbuluan një fermë të madhe kanabisi, ku ishin kultivuar më shumë se 900 bimë.
Sipas autoriteteve, bimët ndodheshin në një fazë të avancuar të zhvillimit dhe ishin pranë momentit të korrjes.
Në vendngjarje u sekuestruan gjithashtu pajisje të shumta që përdoreshin për kultivimin e lëndës narkotike, duke zbuluar përmasat e aktivitetit të paligjshëm që zhvillohej brenda ndërtesës.
Pas arrestimit, të dy shqiptarët pranuan fajësinë për prodhimin e drogës së Klasit B dhe dolën përpara gjykatës, e cila vendosi t’i dënojë secilin me nga 32 muaj burg.
Rreshteri Craig Evans, duke komentuar operacionin, u shpreh se përfshirja në aktivitetet e paligjshme të drogës sjell pasoja të rënda dhe shpesh lidhet edhe me forma të tjera të kriminalitetit.
Ai bëri të ditur se ndërtesa ku ishte ngritur ferma e kanabisit paraqiste rrezik për sigurinë, ndaj policia dhe Ekipi i Mbështetjes Territoriale u detyruan të siguronin fillimisht ambientet përpara se të ndërhynin për largimin e bimëve dhe pajisjeve.
Me vendimin e gjykatës, Aleksandër Çela dhe Denis Horeshka do të vuajnë nga 32 muaj burg secili për përfshirjen në kultivimin e paligjshëm të kanabisit në Swansea.
The post U kapën me mbi 900 bimë kanabisi në Britani, dy shqiptarët dënohen me nga 3 vite burg (EMRAT) appeared first on GIJOTINA.