Prokuroria e Tiranës pritet të marrë në pyetje Erjon Vishkullin, 28-vjeçarin që mbeti i plagosur rëndë në sy gjatë protestës së zhvilluar më 24 tetor në kryeqytet. I riu pritet të japë dëshminë e tij në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për përdorimin e dyshuar joproporcional të forcës nga efektivët e Policisë së Shtetit gjatë protestës.
Prokuroria ka regjistruar procedimin penal për veprat që lidhen me shpërdorimin e detyrës dhe kryerjen e veprimeve arbitrare. Në kuadër të hetimeve, organi i akuzës ka administruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë, të vëna në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, si dhe kartelën mjekësore të 28-vjeçarit pranë Spitalit Universitar të Traumës.
Një tjetër element i rëndësishëm i hetimit është bashkëpunimi me autoritetet italiane. Prokuroria synon të sigurojë dokumentacionin e plotë mjekësor të Vishkullit, si dhe materialin e nxjerrë gjatë ndërhyrjes kirurgjikale, për t’ia nënshtruar ekspertizës.
Erjon Vishkulli u dëmtua në sy gjatë përplasjes me policinë, pasi u godit nga një plumb gome. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ai u transportua drejt Italisë, ku iu nënshtrua ndërhyrjeve të specializuara kirurgjikale në përpjekje për të shpëtuar shikimin.
The post U godit me plumb gome në sy gjatë protestës, Prokuroria thërret për pyetje Erjon Vishkullin appeared first on GIJOTINA.