SPAK kërkon 1 vit burg për ish-kryebashkiakun e Divjakës, Fredi Kokoneshi dhe tre zyrtarë të tjerë

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me nga 1 vit burg për ish-kryebashkiakun e Divjakës, Fredi Kokoneshi, si dhe tre ish-zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie, të akuzuar për “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim. Në pretencën e paraqitur në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, prokuroria ka kërkuar fillimisht nga 1 vit e 6 muaj burg për secilin prej të pandehurve. Megjithatë, për shkak të gjykimit të shkurtuar, masa përfundimtare e dënimit që kërkohet është 1 vit burgim për secilin.

SPAK ka kërkuar gjithashtu ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për 3 vite për Fredi Kokoneshin, ndërsa për Dorian Spahon, Andi Bullarin dhe Ledio Xharon kërkohet një ndalim 2-vjeçar. Hetimet për këtë çështje lidhen me dhënien me qira të rreth 67 hektarëve tokë shtetërore, ku parashikohej ndërtimi i impianteve fotovoltaike. Sipas të dhënave të administruara gjatë hetimit, këto prona figuronin të regjistruara si tokë bujqësore pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

SPAK pretendon se gjatë procedurave për ndryshimin e destinacionit të tokës dhe dhënien e saj me qira për një periudhë 10-vjeçare, zyrtarët kanë vepruar në kundërshtim me ligjin. Në përfundim të hetimeve dhe shqyrtimit gjyqësor, prokuroria ka vlerësuar se provat e mbledhura mbështesin akuzën për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim.

The post SPAK kërkon 1 vit burg për ish-kryebashkiakun e Divjakës, Fredi Kokoneshi dhe tre zyrtarë të tjerë appeared first on GIJOTINA.