Vendimi i Apelit për Oltion Bistrin/ Policia nuk e gjen në banesë, ish-shefi i Operacionales ndodhet prej muajsh jashtë vendit

Ish-shefi i Operacionales, Oltion Bistri, nuk është gjetur ende nga policia për ekzekutimin e vendimit të Apelit të GJKKO-së, që e dënoi me 7 vite e 4 muaj burg në kuadër të dosjes ‘Metamorfoza’.

Sipas informacioneve paraprake, forcat e policisë kanë kryer verifikime në banesën e tij, por nuk e kanë gjetur aty, ndërsa ai raportohet se ndodhet jashtë Shqipërisë prej disa muajsh.

Një ditë më parë, Apeli i Posaçëm e shpalli fajtor për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, duke e dënuar me 11 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, masa përfundimtare u ul në 7 vite e 4 muaj. Por, sipas përllogaritjeve të SPAK, atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 3 vite, 10 muaj e 14 ditë burg. Vendimi i Apelit ndryshoi atë të shkallës së parë, e cila në vitin 2025 e kishte dënuar Bistrin vetëm për zbulimin e akteve apo të dhënave sekrete.

Njëkohësisht, gjykata riktheu konfiskimin e pasurive të tij, konkretisht tre apartamenteve, dy dyqaneve dhe një shume prej 1 milion eurosh cash. Bistri u arrestua më 27 korrik 2023 dhe qëndroi në paraburgim deri më 18 nëntor të vitit të kaluar. Në atë datë, GJKKO urdhëroi lirimin e tij, pasi periudha e qëndrimit në paraburgim, afro dy vjet e katër muaj, u llogarit si e barasvlershme me tre vjet e gjashtë muaj burgim.

Emri i ish-shefit të Operacionales doli në dosjen ‘Metamorfoza’, e cila zbuloi komunikime dhe lidhje mes biznesmenit të kazinove Pëllumb Gjoka, drejtuesve të policisë dhe anëtarëve të grupit Bajri në Shkodër. Sipas hetimeve, Bistri e informonte Gjokën për kontrollet e policisë dhe i kishte dhënë siguri se kazinoja e tij në Tiranë nuk do të prekej nga kontrollet. Në të njëjtën dosje u përfshi edhe ish-drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, i cili është dënuar në shkallën e parë për nxjerrje të të dhënave sekrete dhe dy episode korrupsioni pasiv.

 

 

The post Vendimi i Apelit për Oltion Bistrin/ Policia nuk e gjen në banesë, ish-shefi i Operacionales ndodhet prej muajsh jashtë vendit appeared first on GIJOTINA.