Atentat 39-vjeçarit shqiptar në Spanjë, e qëlluan për vdekje në tarracën e lokalit

Një shtetas shqiptar 39-vjeçar është vrarë me armë zjarri në një lokal në Orihuela Costa të Spanjës. Autor i dyshuar i krimit është një person, i cili pasi qëlloi për vdekje shqiptarin në tarracën e lokalit, u largua nga vendngjarja me monopatinë elektrike.

Mediat spanjolle shkruajnë se, ngjarja e rëndë ndodhi pak para orës 13:00, në kompleksin sportiv dhe argëtues Playa Flamenca Sport Club, në rrugën Nicolas de Bussi, në zonën Playa Flamenca.

Viktima ishte ulur në tarracën e një lokali brenda kompleksit, kur një person iu afrua dhe e qëlloi disa herë me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend. Pas atentatit, autori u largua me monopatinë elektrike. Dëshmitarët njoftuan autoritetet, ndërsa në vendngjarje mbërritën efektivët e Gardës Civile spanjolle.

Garda Civile ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa nuk përjashtohet pista e një larjeje hesapesh.

Në vendngjarje mbërritën efektivë të sigurisë publike, agjentë të policisë gjyqësore dhe specialistë të laboratorit kriminalistik, të cilët kryen këqyrjen e vendit të krimit dhe mbledhjen e provave. Në kompleksin ku ndodhi vrasja ndodhen ambiente sportive, fusha për padel, minigolf, bare, restorante dhe hapësira për fëmijë.

Pas njoftimit për të shtënat, në vendngjarje mbërriti edhe një ambulancë e shërbimit të urgjencës SAMU. Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjes së ekipit mjekësor, 39-vjeçari nuk mundi të shpëtohej. Mjekët vetëm konstatuan vdekjen e tij, sipas Qendrës së Informacionit dhe Koordinimit të Urgjencave (CICU).

Trupi i viktimës mbeti pranë tarracës së lokalit, deri në mbërritjen e autoriteteve gjyqësore, të cilat urdhëruan transportimin e tij në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Alicante.

Autopsia pritet të kryhet të mërkurën, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ekzekutimit dhe për të identifikuar autorin, i cili ende nuk është kapur.

gijotina.com/

The post Atentat 39-vjeçarit shqiptar në Spanjë, e qëlluan për vdekje në tarracën e lokalit appeared first on GIJOTINA.