Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka deklaruar per Top Channel se ishte vetë iniciatori i ndryshimeve ligjore që ashpërsuan dënimet për mosdeklarimin e pasurisë, vepër penale për të cilën më vonë u dënua me dy vite burg.
Llalla, i cili jeton në Romë, pranoi se gjatë kohës kur drejtonte Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kishte kërkuar që mosdeklarimi i pasurisë të dënohej jo vetëm me gjobë, por edhe me burgim deri në tre vite.
“Është e vërtetë, iniciativa ligjore për ndryshimin e ligjit për mosdeklarimin e pasurive është kërkuar prej meje. Në fakt, realisht kërkova ashpërsimin e masës nga gjobë deri në tre vjet burgim. Mora shkas sepse shumë zyrtarë i shmangeshin deklarimit të pasurive”, u shpreh Llalla.
Sipas ish-kryeprokurorit, ashpërsimi i dënimeve solli përmirësim në deklarimin e pasurive nga zyrtarët.
“Ashpërsimi i dënimit i detyroi të ishin më të përgjegjshëm përpara institucionit të deklarimeve dhe kontrollit të pasurive. Dhe realisht solli një përmirësim, rregullim të situatës në institucion. Realisht unë isha vetë iniciatori, vetë unë që u ndëshkova. E respektoj vendimin e gjykatës, pavarësisht mendimeve të mia”, deklaroi ai.Ndërkohë që Llalla në maj të vitit 2021, u dënua nga Gjykata e Posaçme me dy vite burg për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në tri episode, vendim I cili u la në fuqi nga Apeli i Posaçëm më 22 shtator 2021.
Në intervistë, Llalla foli edhe për vendimin e autoriteteve italiane për të mos e ekstraduar në Shqipëri. Sipas tij, gjykatat italiane morën në konsideratë dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare, si dhe gjendjen e tij shëndetësore.
“Autoritetet italiane, gjykatat italiane, më njohën të drejtën për mosekstradimin tim në Shqipëri. Duke parë që vendimi ishte jobindës, pra duke dhënë një dënim të rëndë për një vepër të tillë penale, autoritetet, duke vlerësuar edhe gjendjen time relativisht të rëndë shëndetësore, vendosën mosekstradimin tim në Shqipëri”, u shpreh ish-kryeprokurori.
The post “Vetë propozova ligjin për të cilin u dënova”/ Adriatik Llalla: Kërkova ashpërsimin e dënimit për mosdeklarimin e pasurisë appeared first on GIJOTINA.