Muçi mahnit Turqinë, ylli shqiptar fiton çmimin e golit më të bukur

Ernest Muçi vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në kampionatin turk.

Sulmuesi shqiptar i Trabzonsporit ka marrë një tjetër vlerësim për paraqitjet e tij me fanellën bardheblu, duke u shpallur autor i golit më të bukur të javës së 10-të në Superligën turke.

Futbollisti kuqezi ishte protagonist në fitoren 2-0 që Trabzonspori regjistroi në shtëpi ndaj Gaziantep, ku arriti të realizonte një gol mjaft të bukur, duke tërhequr vëmendjen e tifozëve dhe të futbolldashësve në Turqi.

Momenti vendimtar erdhi në minutën e 61-të, kur Muçi finalizoi me një goditje spektakolare, duke vulosur një nga momentet më të bukura të takimit. Goli i tij mori menjëherë vëmendjen e publikut dhe u bë pjesë e votimit për realizimin më të bukur të javës në kampionatin turk.

Në përfundim të votimit, ishte pikërisht shqiptari ai që triumfoi, duke lënë pas rivalët dhe duke marrë vlerësimin e tifozëve për realizimin e tij. Një tjetër konfirmim i momentit pozitiv që po kalon 24-vjeçari, i cili po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në futbollin turk.

Ky çmim përbën një tjetër lajm pozitiv për Muçin, i cili po përpiqet të lërë gjurmë me fanellën e Trabzonsporit. Paraqitjet dhe golat e tij po e kthejnë në një nga emrat më të komentuar të skuadrës, ndërsa suksesi i fundit dëshmon edhe një herë cilësitë teknike dhe aftësinë e tij për të prodhuar momente vendimtare në fushën e lojës.

The post Muçi mahnit Turqinë, ylli shqiptar fiton çmimin e golit më të bukur appeared first on GIJOTINA.