Akuzohen se ndihmuan Ergys Agasin, Apeli lë në burg Fatjon Kalluçin dhe liron Embro Sulejmanin

Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për Embro Sulejmanin, duke vendosur lirimin e tij nga qelia. Sulejmani ishte arrestuar nën dyshimin se kishte ndihmuar biznesmenin Ergys Agasi gjatë periudhës kur ky i fundit ishte në kërkim nga autoritetet.

Sulejmani punonte si kamerier në lokalin ku, sipas hetimeve, Agasi zhvillonte takimet e tij. Autoritetet dyshonin se ai kishte ndihmuar në fshirjen e gjurmëve të këtyre takimeve, si dhe i kishte siguruar ushqime biznesmenit gjatë kohës që qëndronte i fshehur.

Gjatë dëshmisë në Gjykatën e Posaçme, Sulejmani kishte pranuar se e njihte Ergys Agasin, pasi të dy janë nga Durrësi. Ai kishte konfirmuar gjithashtu se i kishte dërguar ushqime gjatë periudhës kur biznesmeni ishte në kërkim, por kishte mohuar se kishte kryer ndonjë vepër penale.

“Nuk e di çfarë krimi kam bërë. I kam çuar supë e ushqim”, mësohet të ketë deklaruar Sulejmani përpara gjykatës.

Pas shqyrtimit të çështjes, Apeli i GJKKO-së vendosi të ndryshojë masën e sigurisë ndaj tij, duke i dhënë fund qëndrimit në paraburgim.

Sipas vendimit, Sulejami nuk mund të largohet nga territori i Shqipërisë pa autorizimin paraprak të gjykatës dhe nuk mund të përdorë dokumentet e identifikimit për të dalë jashtë vendit pa këtë autorizim.

Gjithashtu, ai duhet të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 09:00, pranë oficerit të policisë gjyqësore që heton çështjen, si dhe sa herë të thirret nga organet proceduese.

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë së arrestit në burg për Fatjon Kalluçin, ish përgjegjës i Policisë Shkencore, i cili u arrestua nën akuzën se ka nxerrë dokumente sekrete për të ndihmuar Ergys Agasin gjatë kohës që ai ishte në kërkim nga SPAK.

 

The post Akuzohen se ndihmuan Ergys Agasin, Apeli lë në burg Fatjon Kalluçin dhe liron Embro Sulejmanin appeared first on GIJOTINA.