I konsideruar si njeriu i Vuçiçit, arrestohet oficeri i lartë i policisë në Serbi

Një zyrtar i lartë i policisë serbe është arrestuar nën dyshimet për shpërdorim detyre, në kuadër të një hetimi që lidhet me një çështje vrasjeje.

Bëhet fjalë për Marko Kriçak, 42 vjeç, drejtues i Drejtorisë së Hetimeve Kriminale të Policisë Serbe, i cili është cilësuar si një prej njerëzve të afërt me presidentin Aleksandër Vuçiç.

Së bashku me të është arrestuar edhe Boško Sekulović, drejtor i Shërbimit për Luftën kundër Krimit në të njëjtën drejtori. Sipas Prokurorisë së Beogradit, dy zyrtarët dyshohen për shpërdorim detyre dhe shkelje të detyrimeve profesionale, duke i shkaktuar dëme dhe duke cenuar rëndë të drejtat e ish-shefit të policisë së Beogradit, Veselin Milić.

Hetimi lidhet me një vrasje të ndodhur në muajin maj në një restorant në Beograd. Pas ngjarjes, Milić ishte arrestuar me dyshimin për mosraportim të një krimi dhe për strehimin e autorit të tij. Pas afro dy muajsh në paraburgim, ish-zyrtari i policisë ngriti padi ndaj Kriçakut dhe Sekulovićit, duke i akuzuar se kishin paraqitur në prokurori prova selektive, të paplota dhe të falsifikuara kundër tij.

I akuzuar për dhunën ndaj protestuesve

Arrestimi i Kriçakut vjen në një moment të tensionuar politik në Serbi. Ai ishte kritikuar ashpër nga lëvizja studentore, e cila e kishte akuzuar për brutalitet policor gjatë shtypjes së protestave kundër qeverisë së Aleksandar Vuçiçit. Studentët kishin kërkuar edhe dorëheqjen e tij.

Ngjitja e Kriçakut në hierarkinë e policisë serbe ishte lidhur nga mediat vendase me marrëdhëniet e tij të afërta me presidentin Vuçiç. Ndërkohë, kreu i Prokurorisë së Lartë Publike të Beogradit, Nenad Stefanović, deklaroi se arrestimi nuk kishte lidhje me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme.

Hetimet për çështjen vijojnë, ndërsa ndaj dy zyrtarëve rëndojnë dyshimet për shpërdorim detyre dhe shkelje të të drejtave të një ish-drejtuesi të policisë.

 

 

 

 

 

The post I konsideruar si njeriu i Vuçiçit, arrestohet oficeri i lartë i policisë në Serbi appeared first on GIJOTINA.