Pas përplasjeve dhe kaosit të javës së kaluar, Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në një tjetër seancë plenare, pas tensioneve dhe përplasjeve të forta që shoqëruan punimet parlamentare të enjten e kaluar. Deputetët pritet të shqyrtojnë një rend dite të ngjeshur, me 18 pika, ku përfshihen interpelanca me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, si dhe një sërë projektligjesh që lidhen me ekonominë, sistemin bankar, biznesin dhe administrimin e pasurive të konfiskuara.

Seanca zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, ndërsa ende janë të freskëta përplasjet e 22 tetorit, kur deputetët e mazhorancës dhe opozitës u përfshinë në debate të ashpra, përplasje fizike dhe incidente që çuan në ndërprerjen e përkohshme të punimeve.

Gjatë seancës së kaluar deputetët demokratë bllokuan foltoren dhe kundërshtuan kalimin në votim të projektligjeve pa diskutim. Në një prej momenteve më të tensionuara, deputeti Flamur Noka i hoqi mikrofonin kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ndërsa më pas tentoi t’u merrte kartat e votimit deputetëve të mazhorancës.

Situata degjeneroi në përplasje mes depuitetëve, duke sjellë edhe ndërhyrjen e Gardës së Republikës. Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, socialistët vijuan votimin e projektligjeve, ndërsa seanca u mbyll mes tensioneve.

Përplasjet parlamentare u zhvilluan në një kohë kur jashtë godinës së Kuvendit protestonin studentë dhe qytetarë, të cilët kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Deputetët e opozitës kërkuan që në Parlament të diskutohej edhe për ndërhyrjet e policisë ndaj protestuesve dhe ndalimin e studentëve.

Pas incidenteve, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste kërkoi marrjen e masave disiplinore ndaj 20 deputetëve të opozitës. Për gjashtë prej tyre, përfshirë Flamur Nokën, Belind Këlliçin, Fidel Krekën, Edi Palokën, Besart Xhaferrin dhe Luçiano Boçin, socialistët kërkuan përjashtim 60-ditor nga punimet parlamentare, ndërsa për deputetët e tjerë u propozuan masa më të shkurtra disiplinore. Kërkesa iu drejtua Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën.

 

The post Pas përplasjeve dhe kaosit të javës së kaluar, Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare appeared first on GIJOTINA.