Policia e Tiranës ka kërkuar të marrë në pyetje kompozitorin Adrian Hila në lidhje me publikimin në internet të disa videove intime, të cilat dyshohet se janë regjistruar prej tij dhe më pas janë shpërndarë nga persona ende të paidentifikuar.
Sipas të dhënave të bëra publike, Hila është kontaktuar mbrëmjen e së mërkurës nga një hetues i njësisë “C” të Policisë së Tiranës dhe është ftuar të paraqitet në polici për të dhënë dëshmi si person që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes.
Kompozitori ka deklaruar gjatë komunikimit me efektivët se nuk mundej për momentin të paraqitej, duke argumentuar se gjendja e tij psikologjike ishte rënduar pas publikimit të videove. Ai ka pretenduar gjithashtu se kamera e tij është hakeruar nga persona të cilët ende nuk janë identifikuar.
Pas refuzimit për t’u paraqitur në ambientet e policisë, një patrullë është dërguar në banesën e Hilës në Tiranë me qëllim shoqërimin e tij. Megjithatë, efektivët nuk kanë gjetur asnjë person në banesë dhe janë larguar.
Ndërkohë, Policia e Tiranës ka nisur hetimet për rrethanat e publikimit dhe shpërndarjes së materialeve intime, duke verifikuar disa pista dhe përgjegjësitë e mundshme penale. Në kuadër të hetimit janë marrë në konsideratë katër vepra penale, ndërsa Adrian Hila është ndër personat që po verifikohen për rolin që mund të ketë në këtë ngjarje.