Monica Bellucci ka mbushur 62 vjeç dhe vazhdon të jetë një nga ikonat më të njohura të bukurisë dhe elegancës italiane.
Me rastin e ditëlindjes së saj, mediat ndërkombëtare kanë rikthyer në vëmendje mënyrën se si aktorja kujdeset për veten dhe qëndrimin e saj ndaj ushqimit, aktivitetit fizik dhe plakjes.
Ndryshe nga regjimet strikte që shpesh lidhen me ruajtjen e formës, Bellucci ka treguar ndër vite se nuk është e fiksuar pas dietave apo stërvitjeve intensive.
Në një intervistë të vitit 2015, ajo e përmblodhi filozofinë e saj për një jetë të mirë me fjalët: “Ha mirë, pi mirë, bëj seks të mirë dhe qesh shumë.”
Aktorja ka folur gjithashtu për dashurinë e saj ndaj ushqimit. Në një intervistë të cituar nga The Telegraph, ajo ka thënë se i pëlqejnë pasta dhe ëmbëlsirat, ndërsa shijon herë pas here edhe një gotë verë.
Bellucci nuk është adhuruese e palestrës dhe ka deklaruar se ushtron, por pa e kthyer aktivitetin fizik në një obsesion.
“Ushtrohem, sigurisht, pak, dhe mbaj dietë pak kur duhet të punoj, por nuk jam e fiksuar pas kësaj. Kam qenë gjithmonë një grua me forma, nuk kam qenë kurrë aq e dobët; kjo është natyra ime”, ka thënë ajo.
Në periudha të ndryshme, Bellucci ka përmendur Pilates dhe notin si forma aktiviteti që preferon. Megjithatë, ajo nuk e ka paraqitur veten si ndjekëse të një programi të rreptë fitnessi.
Një pjesë e rëndësishme e filozofisë së saj lidhet me mënyrën se si e sheh plakjen. Në një intervistë të fundit për Harper’s Bazaar España, aktorja tha se dëshiron të plaket “në një mënyrë paqësore”, duke theksuar se në moshën 50 apo 60-vjeçare njeriu nuk ka të njëjtat nevoja si në të 20-at.
Bellucci e ka përshkruar plakjen jo si diçka që duhet luftuar, por si një privilegj që vjen me përvojën.
“Të plakesh do të thotë se ke fatin të jesh gjallë dhe ke ende një horizont përpara”, është shprehur ajo në intervistën e saj të fundit.
Aktorja ka folur gjithashtu për bukurinë në një kuptim më të gjerë, duke thënë se ajo nuk përcaktohet vetëm nga pamja e jashtme, por edhe nga jeta e brendshme, pasionet, familja dhe marrëdhëniet me njerëzit.
Pra, “sekreti” i Belluccit nuk është një dietë e mrekullueshme apo një program intensiv stërvitjeje. Nga deklaratat e saj ndër vite del një qasje shumë më e moderuar: ushqim që e shijon, aktivitet fizik pa ekzagjerime dhe pranimi i natyrshëm i kalimit të viteve.