Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, ka folur në prag të ndeshjes ndaj Bjellorusisë, duke vlerësuar atmosferën në skuadër dhe punën e bërë gjatë përgatitjeve. Mbrojtësi theksoi se ekipi ka pasur më shumë kohë në dispozicion për të përvetësuar idetë e trajnerit Maran.
“E kam gjetur skuadrën shumë mirë. Kemi pasur pak më shumë kohë në dispozicion dhe na nevojiteshin këto ditë për të mësuar e ushtruar idetë e trajnerit. Ka frymë pozitive dhe lojtarë të rinj. Edhe Etriti është rikthyer, një lojtar kyç dhe me shumë eksperiencë. Do t’u japë një dorë të rinjve”, u shpreh Gjimshiti.
Kapiteni foli edhe për Nedim Bajramin dhe kalimin e tij në Arabinë Saudite, duke e lidhur me një vendim të marrë në kohën kur luante tek Atalanta. “Ndoshta i kam hapur rrugën Asllanit”, tha ai me humor, duke shtuar se kampionati i Emiratave Arabe ku aktivizohet mesfushori është shumë konkurrues.
Gjimshiti u shpreh i qartë edhe për objektivat e Shqipërisë. “Premtimi është se do të japim maksimumin dhe do të jemi të gjithë bashkë, si në fitore, ashtu edhe në humbje. Duam vendin e parë dhe mundësinë për të shkuar për herë të tretë në Europian. Ky është synimi ynë”, deklaroi kapiteni.
Sa i përket skemës taktike, Gjimshiti zbuloi se ka diskutuar me trajnerin Maran për mënyrën e lojës. “Kam folur shumë me të për taktikat dhe gjëra të tjera. Mendoj se do të zgjedhë atë që është më e mira për ekipin. Nëse luajmë me tre apo katër mbrojtës, nuk besoj se ndryshon shumë. Në fund vendos trajneri”.
Në mbyllje, kapiteni vuri theksin tek mentaliteti i grupit. “Fryma dhe mentaliteti janë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër kur zbret në fushë. Gjithçka është në kokë. Këtë kemi punuar në stërvitje”, përfundoi Gjimshiti.
The post Gjimshiti karikon Shqipërinë para Bjellorusisë: Synojmë vendin e parë dhe një tjetër Europian appeared first on GIJOTINA.