Zëvendëskryeministrja Koçiu dhe ministri Demo: Qeveria dhe Bashkia e Tiranës angazhohen për përshpejtimin e rindërtimit në Kombinat

Qeveria do të ndërhyjë edhe me financim nga buxheti i shtetit për të përshpejtuar procesin e rindërtimit në Tiranë, ndërsa në Kombinat po punohet për shpërndarjen e apartamenteve të përfunduara dhe hapjen e shesheve të reja të ndërtimit.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, gjatë një vizite në Njësinë 6, kërkuan përshpejtimin e procedurave dhe forcimin e koordinimit mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës për përfundimin e procesit të rindërtimit.

Zëvendëskryeministrja Koçiu bëri të ditur se deri tani janë shpërndarë mbi 340 apartamente për familjet e prekura nga tërmeti, ndërsa rreth 650 familje vijojnë të trajtohen me bonus qiraje dhe presin të marrin banesat e tyre.

Në Kombinat janë aktualisht rreth 150 apartamente të ndërtuara, prej të cilave 75 janë në pritje të procesit të shortit, ndërsa për një pjesë tjetër vijojnë ndërhyrjet në infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve, për t’i kaluar më pas në fazën e shpërndarjes. Ndërkohë, në një tjetër shesh ndërtimi, ku ka përfunduar procedura e prokurimit, pritet të ndërtohen 223 apartamente të reja, ndërsa ka nisur edhe procedura për ndërtimin e 100 apartamenteve të tjera.

Ministri Demo bëri të ditur se qeveria qendrore do të angazhojë financim nga buxheti i shtetit për të përshpejtuar rindërtimin në Tiranë, krahas projekteve që financohen nga Bashkia.

Sipas tij, ndërhyrja do të fokusohet në përfundimin dhe vënien sa më shpejt në dispozicion të apartamenteve të ndërtuara, përfshirë zgjidhjen e problematikave me lidhjet e energjisë elektrike dhe ujësjellësit, si dhe në përgatitjen e shesheve të reja për familjet që ende presin banesat. Ai shtoi se synimi është që brenda këtij viti të nisin procedurat e para për sheshet e reja të ndërtimit, të financuara nga qeveria përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit.