Dy shqiptarë janë dënuar me nga 8 muaj burg në Britaninë e Madhe, pasi u kapën duke kultivuar kanabis në një ndërtesë zyrash pranë qytetit Northwich.
Bëhet fjalë për Livan Gjinin, 27 vjeç, banues në Stoke-on-Trent, dhe Jetmir Grricën, 23 vjeç, banues në Crewe. Të dy pranuan fajësinë për kultivimin e kanabisit gjatë paraqitjes në Gjykatën e Chesterit më 2 shkurt 2026.
Një ditë më parë, më 1 shkurt, policia ushtroi kontroll në një ndërtesë në Brunel Court, ku zbuloi se ambientet tregtare ishin përshtatur për kultivimin e lëndës narkotike.
Gjatë kontrollit, efektivët gjetën rreth 515 bimë kanabisi, ndërsa vlera e tyre në treg është përllogaritur deri në 400 mijë paund.
Hetimet zbuluan gjithashtu se ndërtesa kishte një furnizim të paligjshëm me energji elektrike, i cili dyshohet se përdorej për funksionimin e ambienteve të kultivimit.
Gjini dhe Grrica u gjetën nga policia brenda ambienteve ku kultivohej kanabisi. Pas pranimit të fajësisë, Gjykata e Chesterit i dënoi të dy me nga tetë muaj burg.
The post U kapën duke kultivuar kanabis me vlerë 400 mijë paund, dënohen me burg 2 shqiptarët në Britani appeared first on GIJOTINA.