Dy shqiptarë janë dënuar me nga 8 muaj burg në Britaninë e Madhe, pasi u kapën duke kultivuar kanabis në një ndërtesë zyrash pranë qytetit Northwich. Brenda ambienteve u zbuluan rreth 515 bimë kanabisi, me një vlerë të përllogaritur deri në 400 mijë paund.
Livan Gjini, 27 vjeç, banues në Stoke-on-Trent, dhe Jetmir Grrica, 23 vjeç, banues në Crewe, pranuan fajësinë për kultivimin e lëndës narkotike gjatë paraqitjes së tyre në Gjykatën e Chesterit, më 2 shkurt 2026.
Gjatë kontrollit në ndërtesën në Brunel Court, efektivët zbuluan më 1 shkurt se ambientet tregtare ishin përshtatur për kultivimin e kanabisit. Hetimet zbuluan gjithashtu se furnizimi me energji elektrike ishte lidhur në mënyrë të paligjshme. Të dy të rinjtë u gjetën brenda ambienteve të kultivimit.