Shqipëria i bashkohet NASA-s për eksplorimin e Hënës dhe Marsit, por problemet e shqiptarëve janë në tokë

Shqipëria po bëhet vendi i 73-të nënshkrues i Marrëveshjeve Artemis, nismës së udhëhequr nga NASA për bashkëpunimin në eksplorimin civil të hapësirës. Ceremonia do të zhvillohet më 21 shtator në selinë e NASA-s në Uashington, ku Shqipëria do të përfaqësohet nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dhe ambasadori Ervin Bushati. Një hap drejt Hënës e Marsit, ndërkohë që në tokë sfidat shqiptare mbeten po aq të forta.

Marrëveshjet Artemis vendosin parime për bashkëpunimin, sigurinë dhe përdorimin paqësor të hapësirës, duke krijuar mundësi për projekte shkencore, teknologjike dhe akademike. Për Shqipërinë, megjithatë, nënshkrimi nuk sjell automatikisht fonde nga NASA apo ndonjë mision hapësinor shqiptar, por hap derën për bashkëpunime të ardhshme. Pra, nëse gjithçka shkon sipas planit, Shqipëria do të ketë një karrige në tryezën e vendeve që flasin për eksplorimin e hapësirës.

Ironia është se ndërsa vendi po firmos marrëveshje për Hënën dhe Marsin, shumë prej problemeve të përditshme mbeten fort të lidhura me tokën, ekonomia, pagat, arsimi, infrastruktura dhe mundësitë për të rinjtë. Hapësira mund të jetë destinacioni i radhës, por sfida për Shqipërinë mbetet të krijojë kushtet që qytetarët e saj të mos kenë nevojë të kërkojnë një të ardhme në ndonjë planet tjetër.

The post Shqipëria i bashkohet NASA-s për eksplorimin e Hënës dhe Marsit, por problemet e shqiptarëve janë në tokë appeared first on GIJOTINA.