Gjatë 30 viteve të fundit, në Kinë është shënuar një rritje e çrregullimeve mendore, ku një në shtatë qytetarë përballet me to, raportoi media italiane “La Repubblica”.
Një nga librat më të njohur të vitit të fundit në Kinë është shkruar nga psikiatri Jiang Tao, i cili punon në Spitalin Anding të Pekinit, një nga institucionet më të avancuara të vendit në fushën e shëndetit mendor.
Libri titullohet “Qetëso zemrën” dhe gjatë muajve të fundit ka qenë ndër librat më të vlerësuar në Douban, një platformë e njohur kineze ku përdoruesit vlerësojnë libra.
Kjo shihet si një tregues i interesit në rritje të publikut kinez për çështjet e shëndetit mendor.
Në një shoqëri shumë konkurruese si ajo kineze, e cila gjatë dekadave të fundit ka përjetuar ndryshime shumë të mëdha ekonomike dhe sociale, gjithnjë e më shumë njerëz po përballen me probleme të shëndetit mendor.
Një studim i ri, i publikuar së fundmi në “Lancet” nga disa studiues kinezë, tregon se gjatë 30 viteve të fundit në Kinë, është shënuar një rritje e konsiderueshme e çrregullimeve mendore.
Numri i njerëzve që jetojnë me çrregullime mendore në Kinë është rritur ndjeshëm gjatë tre dekadave të fundit, duke arritur në rreth 191,2 milionë raste në vitin 2023, sipas një studimi të ri të publikuar në “The Lancet“.
Studimi, i bazuar në të dhënat e “Studimit Global për Barrën e Sëmundjeve (GBD) 2023, analizoi gjendjen e shëndetit mendor në Kinë nga viti 1990 deri në vitin 2023, në nivel kombëtar dhe në 33 njësi administrative të vendit.
Sipas studiuesve, në vitin 2023 shkalla e prevalencës së standardizuar, sipas moshës për çrregullimet mendore ishte 12,706 raste për 100 mijë banorë, rreth 14,6% më e lartë se në vitin 1990.
Numri total i rasteve ishte rritur me rreth 45,6% gjatë së njëjtës periudhë, pjesërisht edhe për shkak të rritjes dhe plakjes së popullsisë.
Depresioni dhe çrregullimet e ankthit mbeten ndër problemet kryesore
Sipas studimit, ato përbënin përkatësisht 35,6% dhe 26,3% të barrës së përgjithshme shëndetësore të lidhur me çrregullimet mendore.
Ndërkohë, çrregullimet e të ngrënit shënuan rritjen më të madhe të prevalencës, me 63,4% gjatë periudhës së analizuar.
Autorët vërejnë gjithashtu dallime të konsiderueshme sipas moshës, gjinisë dhe rajonit.
Barra e çrregullimeve mendore ishte veçanërisht e lartë në grupmoshat 5–19, 30–39 dhe 50–59 vjeç.
Gratë kishin barrë më të lartë nga çrregullimet depresive, ndërsa te burrat ishte më e lartë barra e lidhur me autizmin, çrregullimin e hiperaktivitetit dhe deficitit të vëmendjes (ADHD) dhe çrregullimet e sjelljes.
Sipas raportimit të “La Repubblica”, studiuesit e lidhin këtë zhvillim me ndryshimet e mëdha sociale dhe ekonomike të Kinës.
Urbanizimi i shpejtë, konkurrenca në arsim dhe në tregun e punës, përdorimi i gjerë i rrjeteve sociale dhe migrimi masiv, nga zonat rurale drejt qyteteve, mund të kenë krijuar presione të reja psikologjike.
Këto konsiderohen si faktorë të mundshëm, jo si prova se një faktor i vetëm shkakton rritjen e çrregullimeve mendore.