Nga Jakin Marena
Të mërkurën e ‘zezë’ për Kosovën, shumica bënë sikur ishte të tronditur rëndë, sikur ishin të pikëlluar dhe të shpartalluar nga vendimi i Gjykatës Speciale të Hagës, i cili dha plot 81 vite burg për ish komandantët e UÇK!
Pavarësisht se nuk u provua asnjë krim i tyre, pavarësisht se nuk kishte asnjë referencë për asnjë viktimë të mundshme të shkaktuar me urdhër nga ana e luftëtarëve të lirisë në popullsinë civile, serbe dhe shqiptare, por gjithçka ishte fryt’ i dëshmive në terma të tillë, si, ‘dikush më tha’, ‘dikujt i thashë’, ‘dëgjova sikur kishte zhurmë rrahjeje’, apo ‘iku nga shpia dhe me shumë mundësi e morën këta të UÇK’, sërish Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi morën më shumë vite burgu se sa të gjithë zyrtarët dhe gjeneralët e Milosheviçit!
Gjykata speciale, pa marrë parasysh asnjë provë, dha dënime me burg për ish komandantët, dënime që nuk janë dhënë as për gjeneralët serbë që masakruan Kosovën! “Kasapi i Ballkanit’, Sllobodan Milosheviçi, i cili u zvarrit në gjykim nga Haga, për të vdekur në paraburgim pa u dënuar, ndoshta për të mos u futur në ‘llogarinë serbe’ të krimeve, bashkë me gjeneralët e tij vrau 11.000 shqiptarë, nga të cilët 1.500 fëmijë. Ndërsa la prapa 20.000 femra shqiptare të përdhunuara, ndërkohë që 1 milion shqiptarë u dëbuan me forcë, përmes operacionit “Patkoi”!
E megjithëatë, për vrasësit serbë të cilët shkaktuar genoncid në Kosovë por dhe në të gjitha viset e ish-jugosllavisë, u dha një dënim më i vogël me burg se sa ndaj ish komandantëve të UÇK, të cilët udhëhoqën luftën çlirimtare në tokë, të mbështetur dhe nga forcat ajrore të NATO-s, për mbrojtjen e popullatës civile nga genocidi serb!
Asnjë ‘kasap’ serb nuk u dënua me 25 vite burg si Thaçi e Krasniqi, megjithëse përballë tyre ishin ishin plot 11 mijë viktima shqiptare, të vrarë nga strukturat e mirëorganizuara ushtarake dhe paraushtarake serbe! Madje ish ministrin e Propagandë së kohës së Millosheviçit, tashmë Serbia e ka President, ndërsa është dhe një interlokutor për ndërkombëtarët në Serbi!
Ndërkohë që ish komandantët e UÇK ‘përballë’ kishin 96 veta, për të cilët pretendohej pa asnjë provë e fakt se ishin vrarë, ishin keqtrajtuar, ishin arrestuar, u ishte vjedhur mzati, u ishte dhënë groshë me shumicë për të pj**dhur më shumë, apo qumësht me shumicë për halle të tjera dhe akuza të tjera qesharake të këtij lloji, pa asnjë ‘fytyrë’ dëshmitari të deklaruar! Pa asnjë trup të gjetur, pa asnjë dëshmitar të deklaruar, të cilër pasi kryen detyrën duke dëshmuar, tashmë kanë marrë paratë serbe dhe janë zhdukur nga qarkullimi, për t’i mbrojtur, sipas Hagës!
Për më tepër, ndërkohë që kundër Milosheviçit e gjeneralëve të tij që masakruan Kosovën nuk kishte asnjë denoncues serb dhe asnjë dëshmitar serb, nga radhët e shqiptarëve kishin dalë vetëm 80 dëshimtarë kundër tij, pjesa më e dhimbshme ëhstë se ndaj ish komandantëve të UÇK dolën afër 400 dëshimtarë shqiptarë. Për të qënë korrektë, denoncues shqiptarë ka pasur mbi 6 mijë, të cilët më pas përfituan azil politik me akuzat se janë keqtrajtuar nga UÇK, morën asistencë në vendet e BE po për këto denoncime! Paguhen dhe nga Albini për të ardhur dhe votuar çdo palë zgjedhje për Vetëvendosjen në Kosovë! Madje dhe ish ministrja e jashtme e Abinit, vajza e Jusuf Gërvallës deklaroi me zë dhe figurë se kishte dërguar dhe ajo vetë dosje kundër ish komandantëve të UÇK ‘aty ku duhet’, pra në Hagë! Apo një tjetër, tashmë avokat, të cilit Milosheviçi i dogji të gjallë babanë, e në vend që të denonconte në Hagë serbët për vrasjen e të atit, deklaron se ka denoncuar ish komandantët e UÇK! Deri këtu arrin marrëzia shqiptare!
Dhe të gjithë këto dëshimtarë shqiptarë, me axhendë serbe, morën dhe ndonjë lek nga qeveria serbe për dëshmitë e bëra, janë dhënë përgjime me shumicë në mediat e Kosovës për këta monstra, pasi Serbia mbrojti serbët e vet në Hagë, megjithëse kishin bërë krime, pa u distancuar asnjëherë prej këtyre krimeve! E tregoi dhe homazhi shtetëror për Mlladiçin këto ditë!
Tani mund të tregohesh patriot e trim nga facebooku dhe rrjetet sociale, mund dhe të mbash mbi shpatulla flamurin dhe të bërtasësh emrin e ish komandantëve të UÇK, mund dhe të hedhësh shishe uji tek godina e EULEX apo dhe në Hagë, por ama shqiptarët treguan botërisht se janë e keqja e vetes! E kanë treguar që në vitet 1998-1999 kur vetëm 2 përqind morën pjesë në luftë!
Mund të bësh dhe deklarata të forta të mbrojtje të ish lidedrëve të UÇK, kuptohet pas dënimit të komandantëve sikurse bënë Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe disa zyrtarë të tjerë të Kosovës! Madje mund të vendosësh dhe foton e tyre në murin e kryeministrisë me video-projektor, po pas dënimit! Por ama në Hagë dërguan shkresa sa lirimi i tyre përbënte rrezik për Kosovën, kur u kërkua hetimi i tyre në gjendje të lirë! Madje thanë se kërcënojnë dhe dëshmitarët! Duke treguar se shqiptarët janë të vendosur për t’i bërë gropën shqiptarit më shumë se sa hasmit të përbashkët!
Mund të bëjë deklarata të forta dhe Sali Berisha nga Tirana, në mbrojtje të ish komandantëve të UÇK, madje të akuzojë dhe Edi Ramën se kishte ushtruar presion që të ngrihej gjykata speciale, anipse Thaçi ishte mes dy zjarresh që, ose ta ngrinte vetë parlamenti i Kosovës këtë gjykatë ose do ta ngrinte pa pyetur askënd OKB, ku Rusia dhe Kina kishin veton e tyre. Ama një gjë duhet të ripërsëritet, vajza e Sali Berishës, Argita bashkë me grupin e Tiranës në Kosovë menjëherë pas luftës ishte në misionin faktmbledhës, ku mori ‘prova e dëshmi’ për të dënuar UÇK.
Pjesën më të madhe të dosjes kundër UÇK grupi i Argitës dhe Lulit e dërgoi në Beograd! Dhe si për ta mbyllur ‘qarkun’ kundër luftës çlirimtare në Kosovë, deputetët e Berishës votuan në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës pro raportit të Dick Martit që akuzonte UÇK për trafik organesh, votuan me urdhër të Berishës dhe mbi bazën e këtij raporti u ngrit Gjykata Speciale! Tani ‘çjerr’ faqet Berisha nga ‘dhimbja’ për Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin! Megjithëse Berisha ka qënë konseguent në linjën e tij pro Serbisë, duke filluar që me shkeljen e embargos së OKB ndaj Milosheviçit, teksa ka furnizuar makinën ushtarake serbe me naftë dhe materiale të tjera, për të vrarë e sakatuar popujt e ish-Jugosllavisë, mes të cilëve dhe shqiptarët! Apo arrestimin e Adem Jasharit, Hashim Thaçit e ish lufëtëtarëve të tjerë në Tiranë, për t’i lëshuar më pas në pritat serbe, pas lirimit! Duke e quajtur UÇK-në ‘organizatë terroriste’ njësoj si Milosheviçi vaktit, vetëm se i shtonte pas dhe termin ‘marksiste’, sa për variacion!
Nuk po flasim për ata që kanë qënë dhe janë të deklaruar që herët kundër UÇK-së, pasi u kishin prishur qetësinë ‘katunarët e Drenicës’, duke i armiqësuar me serbët, anipse nuk e kanë shkëputur asnjëherë frekuentimin nëpër lokalet e nëndheshme të Prishtinës e ndonjë vizitë në Beograd dhe gjatë kohës së luftës, ku kanë marrë shuma të mëdha parash për të kryer misionin e përbaltjes së luftës dhe tashmë këta burra zamani, një pjesë e tyre kuptohet, shijojnë paratë me bashkëjetuesit e të njejtit lloj, në vendet e Evropës!
Praktikisht 4 ish komandantët e UÇK ishin të vetëm në Hagë, përballë akuzave të prokurorëve, të cilët i kishin marrë dosjet gati nga Beogradi, dosje të kopsitura me dëshmitë e shqiptarëve, të cilët si gjithnjë ia kishin futur njëri tjetrit, dikush nga halli, dikush nga malli, dikush për një vizë, për një azil politik, për një dashuri të vjetër në kohë luftë, dikush dhe për para të thata, sikurse bënë bashkë me ta edhe këta të grupit të Tiranës, të kryesuar nga Argita Berisha e Lulzim Basha, që shpikën “Shtëpinë e Verdhë” të trafikimit të organeve, burgjet apo spitalet lëvizëse në Tropojë, Has e Kukës, për të akuzuar UÇK-në!
Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi ishin ‘jetimë’ në Hagë! Jo vetëm nuk patën mbështetjen e shtetit të cilin luftuan dhe e ngritën me gjak, nuk kishin as mbështetje financiare, as morale, as juridike dhe as njerëzore nga shteti i tyre, por patën vetëm thika pas shpine, dhe një ‘sagë’ të vërtetë sulmesh nga shqiptarët e Kosovës, nëpër media dhe sidomos në rrjetet sociale! Nuk kishte asnjë deklaratë në mbështetje të tyre, asnjë rezolutë të miratuar në Kuvendin e Kosovës për mbështetje, asnjë vizitë në Hagë, simbolike për të treguar mbështetje e solidaritet, për arësye që sipas Albinit ‘kishte shumë letra dhe nuk bëheshin dot’!
Vetëm kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ngriti zërin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ku kërkoi rrëzimin e rezolutës mbi bazën e së cilës u ngritën akuzat për trafikim të organeve njerëzore ndaj ish drejtuesve të UÇK, si dhe pranimin e rezolutës së Shqipërisë që vlerëson se pretendimet e ngritura në raportin e Dicky Marty janë të pabazuara në prova e fakte. Madje Rama e quajti se është në nderin e Asamblesë së Këshillit të Evropës të vendosë drejtësinë dhe besueshmërinë ndaj vendimeve të saj. Rama e ngriti zërin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, e ngriti zërin dhe në takimin me presidentin Trump ku i kërkoi të ndërhynte për lirimin e ish komandantëve të UÇK-së pasi po mbaheshin padrejtësisht në paraburgim për një krim që nuk e kishin kryer! Foli dhe në Parlamentin e Kosovës ku kërkoi të ndërmerrnin çdo nismë në Prishtinë, dhe Tirana do ta mbështeste direkt me votim në Parlamnt! Pa përfshirë rezolutat dhe qëndrimet në Shqipëri! Por ishte një zë i vetëm, pavarësisht se u përpoq, duke marrë mbrapsht padrejtësisht dhe akuza nga më të rëndat, nga këta partiotët idiotë të të rrjeteve sociale. Nuk foli askush nga institucionet e Kosovës, duke treguar qartë se Thaçin dhe të tjerët i donin në burg!
Por ish komandantët nuk ishin jetimë vetëm për këto elementë të cilët përmenda më lart! Për hir të së vërtetës, gjykimi në Hagë i ish komandanteve të UÇK ndodhi në momentin kur Kosova është pa shtet! Ka dy vite që nuk ka as president, s’ka kryetar Kuvendi por ka vetëm një kryeministër në detyrë i një qeverie në detyrë, si Albin Kurti, që jo vetëm po e rrjep Kosovën pa letra e pa asnjë kërkesë llogarie, por po e zhbën shtetin e Kosovës të ngritur me mund dhe sakrifica nga gjaku i dëshmorëve dhe kontributi i çlirimtarëve, 4 prej të cilëve janë në Hagë.
E themi këtë sepse Kosova është shteti më i izoluar në rajon, ku sapo janë hequr pjesërisht disa sanksione të BE. Ndërkohë që SHBA ka pezulluar me kohë dialogun strategjik me Kosovën, për shkak të kokëfortësisë së Kurtit, i cili u ka bërë bllokadë të gjitha investimeve amerikane në territorin e shtetit të dytë shqiptar në Evropë. Dhe më e keqja është se, SHBA e ka nisur dialogun strategjik me Serbinë, pikërisht vendin të cilin vetëm 27 vite më parë NATO-ja e udhëhequr po nga SHBA e bombardoi për të çliruar Kosovën! Pra tashmë situata është përmbysur, kokëposhtë për Kosovën, e cila e gjen veten të izoluar tërësisht nga SHBA e BE, për shkak të Albin Kurtit! Me dashje apo pa dashje po bën lojën e Serbisë, Albini! Dhe e lajmëroi gjëmën ditën e lirimit nga burgu, me dekret të Koshtunicës, duke u kthyer si pëllumb pa asnjë shenjë rrahjeje në shtëpi!
Prandaj themi se ish komandantët në Hagë ishin ‘jetimë’ sepse nuk kishte kush t’i përfaqësonte, t’i mbështeste dhe për më tepër vinin nga Kosova, vendi i cili në 6 vite qeverisjeje të Albinit është kthyer në rangun e Koresë së Veriut për nga shkalla e izolimit të madh ndërkombëtar!
Tani a zgjidhet me deklarata në publik, me postime në rrjetet sociale, madje dhe me protesta të dhunshme kundër ndërkombëtarëve kjo punë?!
Ajo që mund të themi modestisht është se, shqiptarët e Kosovës duhet të mobilizohen, të shtrëngojnë radhët dhe të përgatisin një dosje cilësore për Apelin në Hagë! Eshtë Kosova në rrezik, jo Thaçi dhe 3 të tjerët, të cilët në luftë dolën për të vdekur para 30 vitesh, dhe pasi e çliruan dhe e pavarësuan Kosovën tani burgu për Kosovën është medalje për ta! Eshtë burg i padrejtë, i cili më shumë se i bën dëm ish komandantëve, dëmton vetë Kosovën! Pasi kanë filluar që tani zërat, se UÇK është drejtuar nga terroristë, dhe ka qënë organizatë terroriste, duke vënë në pikëpyetje vetëm shtetin e ri shqiptar.
Kosova është në zgrip, për atë që e kupton! Duhet të rikthehen me urgjencë aleancat strategjike, me SHBA dhe me BE, të koordinohet Kosova me Shqipërinë, ku shteti amë e ka luajtur në vijimësi e pa u ndalur rolin e vet në mbështetje të Kosovës, anipse Kurti ka zgjedhur Athinën si ‘faltore’, duke braktisur Tiranën.
Megjithëse Greqia ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet, dhe as që e ka ndërmend ta njohë ndonjëherë! Ndryshe e humbëm shtetin e dytë shqiptar, aleatët strategjikë do të na lënë në mëshirë të fatit, pasi askush s’ka interes për një shtet që qeveriset nga mistrecë, analfabetë dhe njerëz pa dinjitet! Nuk mund të mbrosh UÇK-në në Hagë kur nuk ke një institucion në këmbë! Të ngrihen institucionet, në vend që të kërkohet që në fillim zhbërja e gjykatës speciale të Kosovës në Kuvend, duhet të konstituohet Kuvendi. Pastaj me radhë!
Të zgjidhet Presidenti dhe të shmangen zgjedhjet e parakohëshme që u bënë ‘kancer’ për Kosovën këto dy vite! Qoftë dhe duke zgjedhur president dhe Hashim Thaçin, si një formë mbështetjeje e reagimi ndaj vendimit politik për dënimin me 25 vite burg nga Gjykata Speciale! Do të fitonte më shumë pikë Albini me një gjest të tillë, një simbolikë për të bashkuar të gjithë shqiptarët, në momentet më të vështira që po kalon Kosova! Ku akuzat se shqiptarët nuk bëjnë shtet janë më afër se kurrë dhe ku lëvizjet ‘tektonike’ të gjeopolitikës botërore mund ta nxjerrin Kosovën pa gjë dhe jashtë interesit! Madje mund të zhbëhen dhe njohjet! Politika e Kosovës duhet t’i lërë cic-micet provinciale, dhe lojën me porta të vogla të politikës vendore, duhet të mendojë macro-politikën: Të mbijetojë në këtë xhungël gjeopolitike, ku t’i s’ke çfarë ofron tjetër, vetëm besim, mirënjohje dhe stabilitet karshi aleatëve që të çliruan dhe të bënë shtet!