Italia: Shqipëria në BE, para 2030/ Tajani: Integrim i shpejtë, mundësisht në 2028

Italia kërkon Shqipërinë në Bashkimin Europian para vitit 2030. Ministri i Jashtëm Italian, Antonio Tajani u kërkoi shteteve të tjera anëtare që të përshpejtojnë anëtarësimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë në BE. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë evropiane dhe duhet të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur, theksoi ministri Italian.

“Mali i Zi është padyshim vendi që është gati për t’u anëtarësuar në BE se bashku me Shqipërinë. Kjo nuk do të thotë se të tjerët duhen përjashtuar, por, sipas mendimit tim, Mali i Zi dhe Shqipëria kanë bërë disa hapa më shumë përpara. Kemi një lidhje të fortë historike me Malin e Zi, ashtu siç kemi edhe me Shqipërinë, prandaj besoj se për Italinë duhet të mbetet prioritet arritja e një anëtarësimi të shpejtë të këtyre shteteve, duke koordinuar afatet kohore. Dikush përmendi vitin 2030, por unë besoj se edhe viti 2028 është një afat mjaft i largët. Kështu që do të bëjmë gjithçka për t’i mbështetur vendet kandidate me ndihmën dhe përvojën, si dhe me praninë tonë në Bruksel, në mënyrë që këto vende të mund të jenë sa më shpejt pjesë e Bashkimit tonë Evropian”, tha Tajani.

Duke folur në dialogun me temë “Përshpejtimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor, një zgjedhje strategjike për të ardhmen e Evropës”, Tajani tha se procesi i anëtarësimit duhet të jetë rigoroz, por jo pengues.

“Në këtë drejtim, megjithatë, Evropa nuk duhet të mbajë një qëndrim armiqësor; në procedurat e anëtarësimit duhet të jemi rigorozë, por jo pengues. Nëse e vonojmë procesin me një qëndrim burokratik, rrezikojmë ta humbasim politikisht Ballkanin, sepse ka interesa të ndryshme nga Rusia, Kina dhe vendet arabe. Për Italinë kjo është një përparësi politike”, shtoi ai.

Tajani konsideron gabim të rëndë vendosjen e Ukrainës në radhë përpara shteteve ballkanike në rrugën e anëtarësimeve të reja në familjen evropiane.

“Besoj se më vonë do të duhet të përqendrohemi te Ukraina, por nuk duhet të bëjmë gabimin që, ndërsa mbrojmë lirinë e Ukrainës dhe pavarësinë e saj, ta lëmë pas dore çështjen e Ballkanit deri në anëtarësimin e Ukrainës në BE. Ky do të ishte një gabim i rëndë. Ndërkohë, që punojmë për rrugën e anëtarësimit të Ukrainës dhe Moldavisë, duhet që të përshpejtojmë hapat për Ballkanin Perëndimor, i cili duhet të anëtarësohet në BE para Ukrainës. Do të ishte keq të humbisnim një realitet që ka një rëndësi të jashtëzakonshme për ne, për shumë arsye, përfshirë ato historike”, u shpreh më tej.

Kjo deklaratë e kryediplomatit italian vjen pasi presidentja e KE-së, Ursula Von Der Leyen paralajmëroi dhënien zyrtarisht të afateve kohore se kur Mali i Zi dhe Shqipëria do të anëtarësohen me të drejta të plota në BE.