Paraqitjet e legjionarëve/ Cristian Shpendi shkëlqen me dopietë, shënojnë Asani dhe Tuci

Një tjetër fundjavë pozitive për futbollistët shqiptarë që aktivizohen në kampionatet ndërkombëtare, me disa prej tyre që u shndërruan në protagonistë për skuadrat e tyre.

Kristjan Shpendi ishte padyshim një nga emrat kryesorë të kësaj jave, duke realizuar dy gola në Serinë B dhe duke u ngjitur në krye të listës së golashënuesve të kampionatit italian me 5 gola.

Sulmuesi shqiptar ishte vendimtar në barazimin 2-2 të Cesenës ndaj Cremoneses.

Shpendi zhbllokoi takimin në minutën e 22-të me një ekzekutim spektakolar nga kufijtë e zonës, duke e kaluar topin mbi portierin kundërshtar.

Në pjesën e dytë, në minutën e 59-të, ai realizoi edhe golin e dytë personal nga pika e bardhë e penalltisë.

Me këtë dopietë, Shpendi shkon në kuotën e 5 golave në kampionat dhe kryeson renditjen e golashënuesve të Serisë B.

Në Iran, Jasir Asani gjeti gjithashtu rrugën e rrjetës dhe i dha fitoren Esteghlalit në përballjen ndaj Paykan.

Sulmuesi shqiptar realizoi nga pika e bardhë në minutën e 76-të, duke vulosur suksesin 1-0 të skuadrës së tij në javën e shtatë të kampionatit.

Ky triumf e ngjiti Esteghlal në vendin e dytë të renditjes, me 15 pikë të grumbulluara.

Gol shënoi edhe Indrit Tuci në kampionatin slloven. Sulmuesi shqiptar realizoi golin e tretë të Olimpija Ljubljanës në fitoren 3-1 në transfertë ndaj Koper, duke vulosur një tjetër sukses për skuadrën e tij.

Në këtë takim ishte protagonist edhe Marvin Cuni, i cili shënoi një gol dhe dha një asist për Olimpija Ljubljanën.

Fundjava solli gjithashtu gola nga dy futbollistë të Kombëtares U-21. Kevin Dodaj ishte protagonist me Lechia Gdańsk në përballjen ndaj Legnicas, duke shënuar në minutën e 53-të pas një asistimi dhe duke kontribuar në fitoren e skuadrës polake.

Në Itali, Adi Kurti gjeti rrugën e rrjetës me Audace Cerignola në fitoren e thellë 4-0 ndaj Giuglianos, në javën e katërt të Serisë C. Kurtit i mjaftuan vetëm katër minuta në fushë për të shënuar. Kurti u aktivizua në minutën e 73-të dhe realizoi në minutën e 77-të, duke regjistruar kështu golin e parë me fanellën e skuadrës së re.

Përveç protagonistëve që gjetën rrugën e rrjetës, edhe disa prej futbollistëve të Kombëtares shqiptare u aktivizuan si titullarë me skuadrat e tyre gjatë kësaj jave. Si titullarë e nisën Berat Gjimshiti, Klisman Cake, Bujar Pllana, Stavro Pilo, Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Arbër Hoxha, Ernest Muçi dhe Rey Manaj.

Ndërkohë, si zëvendësues u aktivizuan Ardian Ismajli, Luis Hasa, Mirlind Daku dhe Armando Broja, duke vijuar angazhimin e tyre në kampionatet ndërkombëtare.

The post Paraqitjet e legjionarëve/ Cristian Shpendi shkëlqen me dopietë, shënojnë Asani dhe Tuci appeared first on GIJOTINA.