Deputetët e bllokuar në Kuvend, Policia tenton të lirojë aksin, turma zhvendoset tek Ministria e Brendshme

Vazhdon revolta e qytetarëve kundër deputetëve të Kuvendit, pas mbarimit të seancës.

Protestuesit kanë gjuajtur me vezë, por edhe me shkelma e me mjete të tjera rrethanore makinën tip Benz të një deputeti.

Automjeti qëndroi për pak kohë në një vend, ndërsa më pas u largua me shpejtësi.

Protestuesit që ishin mbledhur pranë Kuvendit janë zhvendosur drejt Ministrisë së Brendshme, ku është përqendruar një numër i madh qytetarësh.

Situata vijon të jetë e tensionuar, ndërsa protestuesit kanë vijuar me thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike.

Ndërkohë, gjatë protestës janë shoqëruar disa persona nga policia. Mes tyre, sipas raportimeve nga vendngjarja, janë kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, dhe gazetari Shpend Gashi.

Pas përfundimit të seancës plenare, disa deputetë kanë mbetur të bllokuar në ambientet e Kuvendit, pasi protestuesit kanë zënë rrugët përreth godinës.

Forcat e policisë kanë tentuar të krijojnë një hapësirë për kalimin e automjeteve dhe lirimin e rrugës, ndërsa u kanë bërë thirrje protestuesve që të zhvendosen dhe të mos pengojnë qarkullimin.

“Lironi rrugën”, kanë qenë thirrjet e policisë drejtuar protestuesve, ndërsa situata është shoqëruar me tensione. Ndërkohë një autobot me ujë qëndron në aksin e bllokuar, ndërsa policia është e pajisur dhe me gaz lotsjellës.

The post Deputetët e bllokuar në Kuvend, Policia tenton të lirojë aksin, turma zhvendoset tek Ministria e Brendshme appeared first on GIJOTINA.