Rikthehet normaliteti me transportin publik, autobusët me kapacitet të plotë

Transporti publik në Tiranë pritet t’i rikthehet kapacitetit të plotë, pas marrëveshjes së arritur mes qeverisë dhe shoqatave të transportit.

Gjatë takimit me institucionet përkatëse, shoqatat e Transportit Urban dhe Interurban kanë rënë dakord me kushtet e propozuara nga qeveria për përballimin e situatës së krijuar nga rritja e çmimit të naftës.

Sipas marrëveshjes, qeveria do të ofrojë subvencion për naftën për një periudhë 3-mujore, masë që synon të lehtësojë kostot e operatorëve të transportit dhe të mundësojë rikthimin e të gjithë flotës së autobusëve në qarkullim.

Problematika u shfaq më 1 shtator, pas rritjes së çmimit të naftës, e cila shtoi kostot e operimit për kompanitë e transportit publik.

Përballë situatës së krijuar, Shoqatat e Transportit Urban dhe Interurban kishin paralajmëruar reduktimin me 20 deri në 30 për qind të flotës së autobusëve në qarkullim, duke argumentuar se nuk ishin në gjendje të përballonin kostot e reja të karburantit.

Me marrëveshjen e arritur me qeverinë dhe subvencionimin e naftës për tre muaj, operatorët pritet të rikthejnë në qarkullim të gjithë autobusët, duke shmangur reduktimin e paralajmëruar të shërbimit.

 

 

 

The post Rikthehet normaliteti me transportin publik, autobusët me kapacitet të plotë appeared first on GIJOTINA.