39 vite BMEC, mbi 1,500 efektivë në terren gjatë sezonit të zjarreve

Baza e Mbështetjes dhe Emergjencave Civile shënon 39-vjetorin e krijimit. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, vlerësoi punën e efektivëve në përballimin e situatës së zjarreve gjatë muajve të fundit.

Në 39-vjetorin e krijimit të Bazës së Mbështetjes dhe Emergjencave Civile (BMEC), ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, vizitoi këtë strukturë, pjesë e Komandës Mbështetëse të Ministrisë së Mbrojtjes.

Gjatë vizitës, Nufi vlerësoi angazhimin e efektivëve të BMEC në përballimin e sezonit të zjarreve, të cilin e cilësoi të vështirë.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Mbrojtjes, nga prilli deri në gusht të këtij viti, BMEC ka zhvilluar 54 operacione për shuarjen e zjarreve. Në këto operacione janë angazhuar mbi 1,500 efektivë, ndërsa janë përdorur më shumë se 180 mjete.

“Kjo strukturë vazhdon të ngelet struktura operacionale, e cila është shtylla kurrizore e të gjithë veprimtarisë së mbështetjes në rastin e emergjencave civile, apo fatkeqësive natyrore në territorin e Republikës së Shqipërisë”, deklaroi ministri Nufi.

Ministri i Mbrojtjes shprehu gjithashtu mirënjohjen për efektivët që kanë qenë në terren gjatë përballjes me zjarret.

“Jam krenar për përkushtimin e tyre, mirënjohës gjithësecilit prej tyre që ka qenë në vijën e parë të luftës kundër zjarreve në këtë sezon veror kaq të vështirë”, u shpreh Nufi.

BMEC konsiderohet një nga strukturat kryesore për organizimin dhe mbështetjen e operacioneve të emergjencave civile, duke vënë në dispozicion kapacitete njerëzore, logjistike dhe operacionale në situata të jashtëzakonshme në të gjithë territorin e vendit.