Apeli i GJKKO-së rrëzon kërkesën e Veliajt për pezullimin e afateve të paraburgimit

Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, kundër pezullimit të afateve të paraburgimit.

Me këtë vendim, mbetet në fuqi vendimi i shkallës së parë për pezullimin e afateve, për shkak të zvaritjes që i është bërë procesit nga mbrojtja e Veliajt.

Vendimi nënkupton se afati i paraburgimit të Veliajt vijon të jetë i pezulluar, ndërsa kërkesa e mbrojtjes për shfuqizimin e këtij vendimi nuk është pranuar nga Apeli.

Mbrojtja e Veliajt e ka kundërshtuar këtë praktikë, duke argumentuar se pezullimi i afateve për shkak të problematikave apo shtyrjeve që lidhen me të pandehur të tjerë nuk duhet të ndikojë edhe mbi klientin e tyre.

Avokati Plarent Ndreca e ka cilësuar vendimin absurd dhe ka bërë të ditur se mbrojtja do ta ndjekë çështjen në Gjykatën e Lartë, ndërsa ka paralajmëruar se do të përdorë të gjitha shkallët e ankimit.

Ndërkohë, ky vendim i Gjykatës së Posaçme të Apelit vjen pak ditë përpara datës 15 Shtator, ku Gykata e Lartë do të shprehet mbi masën e arrestit me burg që rëndon ndaj Veliajt.

Kujtojmë që kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025 dhe po hetohet për korrupsion dhe pastrim parash së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa dhe disa biznesmenë.

 

The post Apeli i GJKKO-së rrëzon kërkesën e Veliajt për pezullimin e afateve të paraburgimit appeared first on GIJOTINA.