Kaos te Fakulteti i Mjekësisë/ Studentët sorollaten prej orësh, mungesa e formularëve mban peng regjistrimin

Një situatë problematike është krijuar ditën e sotme në Fakultetin e Mjekësisë, ku studentët që kanë tentuar të kryejnë regjistrimin janë përballur me vonesa.

Sipas denoncimeve të prindërve, studentët dhe familjarët e tyre janë paraqitur që në orët e para të mëngjesit pranë sekretarisë së fakultetit, por nuk kanë mundur të përfundojnë procedurën e regjistrimit.

Një prej problematikave të raportuara lidhet me pagesën e regjistrimit.

Studentëve u është kërkuar fillimisht të drejtohen në posta dhe banka për të kryer pagesën, duke shtuar kohën dhe vështirësinë e procedurës.

Por situata është rënduar edhe më tej nga mungesa e formularëve të printuar për regjistrimin.

Për këtë arsye, studentëve u është kërkuar të largohen dhe të rikthehen sërish pasdite, rreth orës 16:00.

Vonesat kanë shkaktuar pakënaqësi dhe shqetësim te studentët dhe prindërit, të cilët kanë pritur për orë të tëra për të përfunduar një procedurë që duhej të ishte e organizuar dhe e aksesueshme.

Problematika është veçanërisht e vështirë për studentët që vijnë nga rrethet, pasi rikthimi në fakultet pasdite mund të jetë i pamundur për shkak të mungesës së transportit.

 

 

 

 

 

The post Kaos te Fakulteti i Mjekësisë/ Studentët sorollaten prej orësh, mungesa e formularëve mban peng regjistrimin appeared first on GIJOTINA.