Goditje e fortë për Infantinon: Italia i tërheq mbështetjen për zgjedhjet e FIFA-s

Federata Italiane e Futbollit (FIGC) ka vendosur të tërheqë mbështetjen për Gianni Infantinon në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s, që do të zhvillohen në mars 2027.

Vendimi i Italisë vjen pas disa prej iniciativave të fundit të presidentit të FIFA-s, veçanërisht planit për shitjen e të ardhurave të ardhshme nga Kupat e Botës te investitorët privatë.

Kjo ide është kundërshtuar më herët edhe nga UEFA, AFC dhe CONCACAF.

Përpara Italisë, Infantinos i kishin tërhequr mbështetjen edhe gjashtë federata nordike, si dhe Federata Shqiptare e Futbollit.

Në deklaratën zyrtare, FIGC konfirmoi se vendimi është në përputhje me qëndrimin e UEFA-s dhe presidentit të saj, Aleksander Ceferin.

“FIGC ka vendosur të tërheqë mbështetjen për kandidaturën e Gianni Infantinos”, thuhet në njoftimin e federatës.

Italia thekson se dëshiron të shprehë qartë qëndrimin e saj për mënyrën se si FIFA po planifikon menaxhimin e garave ndërkombëtare.

Presidenti i FIGC-së, Giovanni Malagò, deklaroi se futbolli duhet të bazohet te merita sportive, solidariteti dhe qëndrueshmëria.

Ai shtoi se Italia do të vijojë bashkëpunimin me UEFA-n dhe federatat e tjera evropiane për mbrojtjen e këtij modeli.

“Ne përfaqësojmë një model dialogu, respekti për mendimet e të tjerëve dhe përgjegjësie të përbashkët”, u shpreh Malagò.

Tërheqja e mbështetjes nga Italia përbën një goditje të rëndësishme për Infantinon.

Presidenti i FIFA-s synon të sigurojë një tjetër mandat në krye të institucionit më të lartë të futbollit botëror.

Por kundërshtimi i disa prej federatave të rëndësishme evropiane mund ta bëjë garën presidenciale të vitit 2027 edhe më të tensionuar.

The post Goditje e fortë për Infantinon: Italia i tërheq mbështetjen për zgjedhjet e FIFA-s appeared first on GIJOTINA.