Nga Fatos Çoçoli
Në një nga miniplazhet e mrekullueshme me guralecë të bardhë në Sarandë, një turiste e huaj, me një qese në dorë, po hiqte dje mbeturinat plastike nga plazhi. Ishte mëngjes dhe ajo nuk u lodh, sa i hoqi të gjitha papastërtitë.
Një zonjë shqiptare mori shembull dhe nga ana tjetër e miniplazhit, pranë disa palmave në fund, nisi dhe ajo të hiqte hedhurinat. Në fund menaxheri i miniplazhit privat nxori një djalë me një qese dhe një dorezë të zezë plastike në dorë, i cili përfundoi punën e nisur nga dy zonjat, njëra e huaj dhe tjetra shqiptare. Menaxheri i miniplazhit i falenderoi të dyja zonjat. Plazhi ndriste i gjithi nga guralecet e bardhe dhe nuk ishte më i mbushur me mbeturina.
Turistja e huaj qëlloi të ishte suedeze. Quhej Anxhela. Kishte ardhur me të shoqin e saj Craig. Të dy do të qëndronin dy javë në Shqipëri. Me qëndrim fiks në Sarandë, do të shikonin bukuritë dhe atraksionet e Shqipërisë së Jugut, nga Butrinti, në Gjirokastër dhe Berat.
Vend ynë po fiton një pozicion gjithnjë e më të dukshëm në hartën turistike të vendeve nordike. Anxhela dhe Craig pohuan se në Suedi të gjitha hapësirat për në Shqipëri, nga agjencitë turistike suedeze që ofronin pushime në vendin tonë ishin të zëna. Ata vinin nga Goteborgu, një qytet suedez port. Kishin shumë miq e të njohur që mezi prisnin prej tyre përshtypjet e para për Shqipërinë.
Për verën 2026, vendi ynë po shfaqet gjithnjë e më shumë si një nga destinacionet “it” për turistët nga Suedia, Norvegjia, Danimarka dhe Finlanda. Destinacion “it” është shprehja për një vend shumë tërheqës që është në fjalët e të gjithë atyre që në Skandinavi po planifikojnë pushimet verore dhe jo vetëm.
Shqipëria është duke kaluar gradualisht, nga statusi i një destinacioni alternativ, në atë të një tregu turistik që po kërkohet, promovohet dhe eksplorohet nga udhëtarët skandinavë.
Ky zhvillim është i rëndësishëm jo vetëm për turizmin shqiptar, por edhe për ekonominë tonë në tërësi. Turisti nordik karakterizohet përgjithësisht nga fuqi e lartë blerëse, kohëzgjatje relativisht e mirë e qëndrimit dhe interes për eksperienca autentike, natyrë, gastronomi, kulturë dhe destinacione që ofrojnë raport të mirë mes cilësisë dhe çmimit.
Nëse ky trend konsolidohet, Shqipëria mund të fitojë një treg të ri strategjik në turizmin evropian.
Pse skandinavët po shikojnë drejt Shqipërisë?
Për shumë vite me rradhë, turistët nga vendet nordike kanë pasur si destinacione të preferuara Spanjën, Greqinë, Italinë, Kroacinë dhe Turqinë.
Mirëpo Shqipëria po hyn gjithnjë e më shumë në këtë listë. Po pse? Arsyet janë të shumta.
E para është bregdeti shqiptar. Riviera, nga Vlora në Sarandë e Ksamil, ofron ujëra të pastër, plazhe, peizazhe mesdhetare dhe një kombinim që për turistin nordik është veçanërisht tërheqës: diell, det dhe klimë e ngrohtë.
Për një turist që vjen nga një vend ku vera është më e shkurtër dhe temperaturat janë shumë më të ulëta, Shqipëria ofron pikërisht atë që kërkon gjatë pushimeve verore.
Raporti cilësi–çmim është një avantazh i fortë
Një tjetër faktor i rëndësishëm është raporti midis çmimit dhe cilësisë. Edhe pse çmimet turistike në Shqipëri janë rritur gjatë viteve të fundit, vendi ynë vazhdon të perceptohet në shumë tregje të huaja, si një destinacion ku mund të marrësh një eksperiencë mesdhetare me kosto konkurruese.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për turistët nordikë, të cilët kanë një fuqi blerëse relativisht të lartë, por njëkohësisht janë gjithnjë e më të interesuar për destinacione që ofrojnë vlerë reale për paratë e shpenzuara. Në këtë drejtim, Shqipëria mund të jetë më konkurruese se disa destinacione tradicionale të Mesdheut.
Anxhela dhe Craig pohuan se Kroacia ishte bërë shumë e shtrenjtë dhe deri diku të përballueshme ishin plazhet greke të Pargës. Por ata ishin shume të tërhequr nga Shqipëria dhe mendonin se kishin bërë zgjedhjen e duhur duke ardhur në Sarandë. Dita e parë ishte gati katastrofike, pasi hoteli ku kishin pronotuar i kishte të gjitha dhomat e zëna. Anxhela dhe Craig ishin shumë të impresionuar nga gadishmëria për të ndihmuar dhe mirësia e recepsionistes së hotelit, që u gjeti një dhomë në një hotel aty afër. Të nesërmen gjithshka ishte rregulluar.
Shqipëria ofron më shumë se plazhin
Një nga gabimet që vijojmë të bëjmë është ta shesim vendin tonë vetëm si destinacion plazhi. Turisti skandinav kërkon edhe eksperiencë jetësore. Dhe Shqipëria ka një avantazh të jashtëzakonshëm në këtë drejtim.
Nga Alpet e Veriut tek Riviera e jugut, nga qytetet historike te fshatrat malorë, nga gastronomia tradicionale te kantinat e verës, vendi ynë ofron një kombinim të rrallë, brenda një territori relativisht të vogël.
Një turist mund të kalojë disa ditë në det dhe më pas të udhëtojë drejt maleve, qyteteve historike apo zonave rurale. Kjo e bën Shqipërinë shumë më tepër se një destinacion “diell dhe det”. E bën një destinacion “it”!
Natyrë, aventurë dhe turizëm aktiv
Tregu skandinav ka një kulturë të fortë të aktiviteteve në natyrë. Hiking, çiklizmi, kayaking, rafting, eksplorimi i natyrës dhe turizmi i aventurës janë produkte që mund të përshtaten shumë mirë me këtë treg.
Alpet shqiptare, Thethi, Valbona, lumi i Vjosës, kanionet, liqenet dhe zonat malore krijojnë mundësi për zhvillimin e një turizmi me vlerë të shtuar. Kjo është një mundësi strategjike.
Nëse arrijmë të shesim një paketë të integruar det + mal + kulturë + gastronomi + aventurë, mund të rrisim ndjeshëm shpenzimet mesatare të turistit.
Për turistin skandinav dhe jo vetëm, Shqipëria ka ende edhe avantazhin e “zbulimit”. Destinacionet tradicionale të Mesdheut janë tashmë shumë të njohura.Shqipëria, në shumë segmente të tregut nordik, ende perceptohet si një vend për t’u zbuluar.
Ky element ka një vlerë të madhe në marketingun modern turistik. Udhëtari i sotëm nuk kërkon vetëm të shkojë në një vend të bukur. Ai kërkon të ketë një histori për të treguar.
Dhe Shqipëria ofron një histori të fortë: një vend mesdhetar që po transformohet me shpejtësi dhe që ende ruan shumë elementë autentikë. Me njerëz mikpritës që mund të të ofrojnë eksperienca të bukura jete.
Turisti skandinav mund të jetë më i vlefshëm se turisti masiv
Një nga objektivat e Shqipërisë duhet të jetë jo vetëm rritja e numrit të turistëve, por rritja e cilësisë ekonomike të turizmit.
Në këtë drejtim, tregjet nordike janë veçanërisht interesante. Turisti me fuqi të lartë blerëse mund të shpenzojë më shumë për akomodim cilësor, restorante, aktivitete, guida, transport, produkte lokale, eksperienca kulturore dhe turizëm aventure.