Plagosja e turistit italian pranë Pallatit të Kulturës, procedohen penalisht tetë të mitur të moshës 13-15 vjeç

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 8 të mitur, të dyshuar si të përfshirë në një konflikt ku ka mbetur i dëmtuar lehtë një 20-vjeçar italian pranë Pallatit të Kulturës.

Sipas bluve të Tiranës, të miturit, të moshave 13-15 vjeç, janë shoqëruar dhe proceduar në gjendje të lirë pas veprimeve hetimore.

Policia bën me dije se puna vijon për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në konflikt, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Njoftimi i policisë:

DVP Tiranë

Identifikohen, shoqërohen dhe procedohen penalisht 8 të mitur, të moshës 13-15 vjeç, për plagosjen e lehtë të një shtetasi italian 20 vjeç.

Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, lidhur me rastin e ndodhur pranë Pallatit të Kulturës, më datë 29.07.2026, ku mbeti i dëmtuar lehtë një 20-vjeçar italian, ju informojmë se:

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, të kryera menjëherë pas konfliktit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë të mundur identifikimin, shoqërimin dhe procedimin në gjendje të lirë të 8 shtetasve të mitur, të moshës 13-15 vjeç, të dyshuar si të përfshirë në konflikt, gjatë të cilit 20-vjeçari italian pësoi lëndime të lehta trupore.

Puna vijon për identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar si të përfshirë në konflikt, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

 

The post Plagosja e turistit italian pranë Pallatit të Kulturës, procedohen penalisht tetë të mitur të moshës 13-15 vjeç appeared first on GIJOTINA.