Në Kralevë, në Serbinë qendrore, është arrestuar R.T. (1980) nga Istogu i Kosovës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale të spiunazhit, ka raportuar agjencia Tanjug, duke transmetuar pamje nga arrestimi.
Sipas të dhënave të kësaj agjencie, Gjykata e Lartë në Kralevë i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të arrestuarit R.T., pas marrjes në pyetje në Prokurorinë e Lartë Publike në Kralevë.
Ministria serbe e Punëve të Brendshme (MPB), Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit dhe Prokuroria e Lartë në Kralevë nuk i janë përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë lidhur me arrestimin e R.T., dhe as nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht informacionin.
Sipas raportimeve të mediave, R.T. dyshohet se për një kohë të gjatë ka bashkëpunuar me shërbimin informativ në Kosovë.
Po ashtu raportohet se i arrestuari ka mbledhur dhe ka dorëzuar të dhëna dhe informacione mbi aktivitetet e pjesëtarëve të dikurshëm dhe aktualë të Ushtrisë së Serbisë, MPB-së të Serbisë dhe strukturave të tjera të sigurisë së shtetit serb.
Thuhet se, për shkak të aktiviteteve të tij, në Kosovë janë arrestuar disa persona të nacionalitetit serb, si dhe se ka ardhur deri te largimi i një numri të madh të serbëve nga zona e Zubin Potokut dhe veriu i Kosovës.
Ministri në detyrë i Punës, Familjes, Mbrojtjes Sociale dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare i Kosovës, Andin Hoti, e ka vlerësuar arrestimin e personit, për të cilin pretendon se ka ndihmuar në zbulimin e një varreze të dyshuar masive të dyshuar në Kosovë si “tentim-vrasje ndaj së vërtetës”.
“Ky nuk është shtet që kërkon drejtësi. Ky është një aparat shtetëror që vazhdon të mbrojë kriminelët, të frikësojë dëshmitarët dhe të pengojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Çdo arrestim i tillë dërgon një mesazh të qartë: kush flet për varrezat masive, ndëshkohet”, shkroi Hoti në Facebook.
Ai ka vlerësuar se kjo nuk është mungesë bashkëpunimi, por “sabotim i drejtpërdrejtë i procesit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe shkelje e frymës së Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar në Bruksel”.
Hoti nuk ka bërë të ditur se në bazë të cilave informacione pretendon se personi është arrestuar për shkak të ndihmës së supozuar në zbulimin e varrezës masive, ndërsa ai nuk ka qenë i qasshëm për një koment shtesë.
Arrestimi ka ndodhur disa ditë pasi autoritetet e Kosovës nisën gërmimet në Kalludër të Vogël, në Zubin Potok, në një varrezë të dyshuar masive.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, konfirmoi më 30 korrik se gjatë gërmimeve në këtë lokacion janë gjetur mbetje mortore me origjinë njerëzore.
Sipas tij, identifikimi i viktimave do të kërkojë kohë, pasi mbetjet mortore do t’i nënshtrohen analizës së ADN-së.
Institucionet e Kosovës dyshojnë se lokacioni mund të jetë i lidhur me zhdukjen e “grupit të intelektualëve të Mitrovicës”.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 29 korrik se ky ishte dyshimi i parë i institucioneve, por theksoi se identiteti i mbetjeve mortore mund të konfirmohet vetëm pas përfundimit të procedurave hetimore.
Në prill të vitit 1999 në veri të Kosovës ishin zhdukur 23 civilë shqiptarë, në mesin e tyre mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera.
Pa konfirmim zyrtar nëse bëhet fjalë për të njëjtin person
Fondi për të Drejtën Humanitare i Kosovës dhe Fondi për të Drejtën Humanitare i Serbisë kanë bërë të ditur se verifikimi i informacionit për varrezën masive në Zubin Potok ka zgjatur më shumë se dy dekada.
Në njoftimet e tyre thuhet se informacioni për një varrezë të mundshme masive në këtë fshat është bërë publik më 7 janar 2013, kur e përditshmja Zëri publikoi deklaratën e R.T.-së për vrasjen e 23 civilëve shqiptarë dhe varrosjen e trupave të tyre në luginën e fshatit Kalludër e Vogël.
Thuhet se R.T. u kishte dhënë deklaratë hetuesve të UNMIK-ut dhe Policisë së Kosovës më 7 shkurt 2003.
Nuk ka konfirmim zyrtar nëse R.T. që u arrestua në Serbi është personi i njëjtë me atë që dha dëshmi për varrezën masive në veri të Kosovës.