Deklarata e Koçekut për kërcënime nga Bajrat, reagon PS: T’i drejtohet policisë dhe jo Instagramit!

Mungesa e deputetes Marjana Koçeku në mbledhjen e Komisionit për Politikën e Jashtme nuk e la jashtë vëmendjes çështjen e deklaratës së saj lidhur me grupin kriminal të Bajrave, e cila u bë objekt debati mes deputetëve.

Ishte deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ishte ajo që që ngriti shqetësimin për sigurinë e përfaqësuesve politikë dhe qytetarëve, duke pyetur se çfarë garancish ka një qytetar i zakonshëm kur një deputete pretendon se kërcënohet nga krimi i organizuar.

“Nëse krimi i organizuar është në gjendje të ushtrojë kërcënime ndaj një deputeteje, një gruaje, atëherë çfarë ndodh me qytetarin e thjeshtë. Çfarë garancie kanë qytetarët e zakonshëm, dhe ky nuk është problem vetëm i rendit publik, por është një çështje që prek drejtpërsëdrejti integrimin e BE”, tha Vokshi.

Lidhur me këtë çështje reagoi edhe kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme, Igli Hasani, duke dhënë qëndrimin e parë publik nga radhët e Partisë Socialiste. Ai theksoi se çdo person që pretendon se është nën kërcënim duhet t’u drejtohet institucioneve ligjzbatuese dhe jo rrjeteve sociale.

“Kushdo që ndihet e kërcënuar, kushdo që ka indicie duhet t’i drejtohet organeve, Policisë së Shtetit, nëse ka edhe një indicie. Se kush zgjedh instagramin për të bërë deklarata, kjo nuk është puna ime fare. Duhet ti drejtohen policisë së Shtetit”, tha Hasani.

Pak orë më parë Marjana Koçeku publikoi një mesazh të fortë në rrjetet sociale, të cilin e ka adresuar ndaj familjes Bajraj në Shkodër.

“Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”, shkruan ajo.

Pak ditë më parë, deputetja njoftoi largimin nga Grupi i Partisë Socialiste dhe u shpall deputete e pavarur, por ende nuk ka dorëzuar një kërkesë zyrtare te grupi i PS.

The post Deklarata e Koçekut për kërcënime nga Bajrat, reagon PS: T’i drejtohet policisë dhe jo Instagramit! appeared first on GIJOTINA.