Mungonin kushtet higjeno-sanitare, bllokohen mbi 110 ton fruta e perime në Shkodër

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar mbi 110 ton fruta dhe perime të një subjekti në Shkodër, pas një kontrolli të kryer për sigurinë ushqimore. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë inspektimit u evidentuan shkelje të rënda të kushteve higjieno-sanitare në ambientet ku përpunoheshin ushqimet.

Për këtë arsye, AKU ka vendosur një gjobë prej 500 mijë lekësh dhe ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të aktivitetit, duke e konsideruar situatën si rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve. Sasia e bllokuar do të mbetet e sekuestruar deri në përfundimin e procedurave ligjore dhe vendimit përfundimtar për asgjësimin e saj.

Njoftimi i plotë:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shkodër në bashkëpunim me Policinë e Shkodrës ka ndërmarrë një tjetër aksion, në kuadër të garantimit të sigurisë ushqimore në vend.
Trupa e AKU-së ka kryer një inspektim jashtë planit në subjektin Elidon Bala, me aktivitet “trajtim/ambalazhim fruta-perime”.

Gjatë verifikimeve në terren janë konstatuar shkelje të rënda lidhur me respektimin e standardeve higjeno-sanitare, në ambientet ku trajtohet produkti ushqimor.
Për këtë arsye, AKU ka marrë një sërë masash të menjëhershme administrative:

•Gjobë në vlerën 500,000 lekë, referuar Ligjit nr. 9863, datë 28.01.2008 “Për Ushqimin” (i ndryshuar), bazuar në nenin 68, pika 1, gërma (h), për shkelje në kundërshtim me nenin 23, mosrespektimi i kërkesave ligjore mbi kushtet higjieno–sanitare për sigurinë dhe trajtimin e produkteve ushqimore;

•Ndërprerje e menjëhershme e aktivitetit prodhues, referuar Ligjit nr. 99/2024 “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, neni 46, pika 1, si masë urgjente administrative në rastet kur konstatohet rrezik serioz për interesin publik dhe sigurinë ushqimore;

•Bllokim i produktit në sasinë 110 ton, deri në përfundim të procedurave ligjore dhe vendimmarrjes për asgjesim, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mosrespektim të kushteve higjeno sanitare.

The post Mungonin kushtet higjeno-sanitare, bllokohen mbi 110 ton fruta e perime në Shkodër appeared first on Lapsi.al.