Lulishtja e premtuar për banorët në Selitë të Vogël kthehet në landfill plehrash

Prej vite me radhë, një tokë që duhej të ishte lulishte publike për banorët e zonës, në rrugën “Hamdi Pepo” në Selitë të Vogël, përballë Xhamisë së Shenjtë të Selitës, është shndërruar në një landfill të vërtetë mbeturinash.

Në vend që të ishte hapësirë e gjelbër, e pastër dhe e shfrytëzueshme nga fëmijët e lagjes, sot ajo është kthyer në një vatër ndotjeje, infeksionesh dhe erërash të rënda që po helmojnë jetën e banorëve.

Banorët e zonës denoncojnë prej kohësh se kjo hapësirë përdoret si vend hedhjeje plehrash nga serviset dhe lagjet përreth, pa asnjë kontroll nga institucionet përkatëse.

Ajo që e bën situatën edhe më absurde është fakti se kjo zonë ndodhet vetëm pak metra larg fushave ku stërvitet skuadra e Tironës, një kontrast i dhimbshëm mes investimeve sportive dhe harresës totale ndaj qytetarëve të thjeshtë.

Rruga “Hamdi Pepo” është në gjendje të mjerueshme, e pashtruar dhe e mbuluar me baltë e mbeturina, duke u kthyer në rrezik për këmbësorët dhe automjetet. Asnjë ndërhyrje, asnjë pastrim, asnjë plan për rikualifikim urban, vetëm premtime boshe që përsëriten prej vitesh.

Banorët i bëjnë thirrje Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve mjedisore të marrin masa urgjente për pastrimin dhe rikthimin e kësaj hapësire në funksionin që i takon – një lulishte për komunitetin, jo një vendgrumbullim plehrash.

The post Lulishtja e premtuar për banorët në Selitë të Vogël kthehet në landfill plehrash appeared first on GIJOTINA.