Dy anëtarë të stafit të ambasadës izraelite qëllohen për vdekje në Uashington, reagon Trump

Dy anëtarë të stafit të ambasadës izraelite janë qëlluar për vdekje jashtë një muzeu hebre në qendër të Uashingtonit. Viktimat ishin çift, ndërsa u qëlluan teksa po dilnin nga aktiviteti në Muzeun Hebraik të Kryeqytetit në Uashington DC, i cili kishte në fokus ndihmën e banorëve të Gazës.

I dyshuari është ndaluar dhe identifikuar nga policia si 30-vjeçari Elias Rodriguez. Ky i fundit, sipas Policisë, bërtiti “Palestina e lirë” pasi u arrestua. Oficerët do të hetojnë lidhjet e mundshme me terrorizmin.

Ambasada izraelite ka reaguar mbi ngjarjen duke pretenduar se viktimat janë qëlluar nga një distancë e afërt.

Zëdhënësja e ambasadës izraelite, Tal Naim Cohen, shkroi në X se anëtarët e stafit të ambasadës po merrnin pjesë në një aktivitet në Muzeun Hebraik të Kryeqytetit në Uashington DC, ndërsa shpreson të zbatimi i ligjit dhe vënia e drejtësisë në vend.

“Dy anëtarë të stafit të ambasadës izraelite u qëlluan sonte nga afër, ndërsa merrnin pjesë në një aktivitet hebraik në Muzeun Hebraik të Kryeqytetit në Uashington DC. Ne kemi besim të plotë tek autoritetet e zbatimit të ligjit si në nivel lokal ashtu edhe në atë federal për të kapur autorin e sulmit dhe për të mbrojtur përfaqësuesit e Izraelit dhe komunitetet hebraike në të gjithë Shtetet e Bashkuara”, shkroi ajo.

Në një postim në Truth Social, Presidenti i SHBA-së Donald Trump dënoi vrasjet “e tmerrshme” të dy anëtarëve të stafit diplomatik të ambasadës izraelite në Uashington.

“Këto vrasje të tmerrshme” në Uashington, “me sa duket të motivuara nga antisemitizmi, duhet të marrin fund tani!” tha Trump, duke shkruar fjalën e fundit me kapital për theks, siç e ka zakon.

“Urrejtja dhe radikalizimi nuk kanë vend në Shtetet e Bashkuara. Ngushëllime familjeve të viktimave. Është shumë e trishtueshme që ndodhin gjëra të tilla. Zoti ju bekoftë të gjithëve”, përfundoi presidenti i SHBA-së.

 

 

The post Dy anëtarë të stafit të ambasadës izraelite qëllohen për vdekje në Uashington, reagon Trump appeared first on GIJOTINA.